Heroina që spiunoi për Britaninë, sfidoi nazistët dhe nuk u kthye kurrë më në Francë
Nga: Julian Evans / The Daily Telegraph
“Ushtria sekrete e Çërçillit” – Drejtoria e Operacioneve Speciale [Special Operations Executive – SOE] – nuk kishte vetëm armiq jashtë vendit. Ajo përballej me kritika të ashpra edhe në Britani: kreu i MI6-shit, Sir Stewart Menzies, i cilësonte agjentët e SOE-së si “amatorë, të rrezikshëm dhe të rremë”. Kohët e fundit, strategjia e sabotimit dhe subversionit e përdorur nga SOE-ja është konsideruar si pararendëse e terrorizmit modern, kopjuar më pas nga grupet si Brigadat e Kuqe.
Memoari modest dhe magjepsës i Pippa Latourit, Agjentja e fundit sekrete [The Last Secret Agent], i hedh poshtë të gjitha këto dyshime. Mund të mendojmë se kemi lexuar gjithçka që na duhet për luftën sekrete të Luftës së Dytë Botërore, por, përkundër morisë së historive dhe biografive të shkëlqyera, rrëfimi i Latourit është i vetmi memoar i shkruar në vetën e parë nga një grua agjente e përfshirë në të. Gjithashtu, është me gjasë edhe i fundit, pasi ajo ishte agjentja e fundit e mbijetuar e seksionit të Francës në SOE – e dërguar për ta “vënë Evropën në zjarr” – derisa vdiq një vit më parë, pasi përfundoi librin e saj në moshën 102-vjeçare.
E lindur në vitin 1921 si vajza e një mjeku francez, Latour pati një fëmijëri të jashtëzakonshme në Kongon Belge, në Serengeti dhe në Keni. Në Afrikë ajo mësoi Kodin e Morzeut dhe si të qëllonte me armë; më vonë ndoqi një shkollë të vogël private të drejtuar nga ndrikulla e saj në Montparnas. Duke ikur nga Franca për në Angli në vitin 1939, ajo u regjistrua në Forcën Ndihmëse Ajrore të Grave [Women’s Auxiliary Air Force]. “Jo punë zyre, të asnjë lloji”, i tha ajo rekrutuesit, duke përmendur gjuhën frënge dhe njohuritë e tjera të saj.
SOE e gjeti atë në vitin 1943, pasi kishte punuar si operatore me balonat mbrojtëse dhe si mekanike fluturimesh. Ishte vetëm 22 vjeçe. Dy muaj para Ditës D, ajo u hodh me parashutë në Normandinë e pushtuar, si operatore e radios. “Gjashtë javë”, i tha oficeri i saj drejtues; ai i referohej parashikimit të zymtë të jetëgjatësisë mesatare të operatorëve të radios prapa vijave gjermane.
E vogël dhe e brishtë, Latour shtirej si një vajzë 14-vjeçare – për të shmangur mundësinë që të urdhërohej të shkonte në Gjermani për punë të detyruar – dhe lëvizte me biçikletë nëpër zonën rurale të Normandisë, me maskimin e zgjuar të shitjes së sapunit për ushtarët gjermanë, prodhuar nga një çift fermerësh francezë që shtireshin si gjyshërit e saj. Shitja e sapunit i mundësonte asaj të vëzhgonte vendndodhjet e trupave dhe t’i transmetonte ato në Londër nga njëra prej 17 radiove të fshehura mes hambarëve dhe fermave lokale.
Ajo e fshihte çelësin e Kodit të Morzeut në sustat e sediljes së biçikletës dhe kodet i mbështillte në lidhësen e flokëve; flinte në pyje dhe siguronte ushqim duke mbledhur ç’të gjente. Përveç ndalimeve dhe marrjeve të shpeshta në pyetje nga Gestapoja, që përfshinin edhe kontrollin me zhveshje, ajo duhej të përballej me ndasitë brenda Rezistencës dhe me misogjininë. Dy burra, Claude de Baissac dhe Jean Séailles, dalin të jenë veçanërisht të pakëndshëm në këtë pjesë të historisë së Latourit, duke përdorur rolet e tyre për të ushtruar ndikim seksual mbi anëtaret e reja femra. Ajo përjetonte gjithashtu fajin që kishte shkaktuar vdekjet e civilëve francezë, disa prej të cilëve i njihte, duke transmetuar vendndodhjet në Londër, të cilat më pas goditeshin nga bombat aleate. Një ditë, dy ushtarë të rinj gjermanë e puthën me forcë dhe më pas e përdhunuan. (Pas vuajtjes së saj, u shpëtua nga një oficer gjerman, i cili qëlloi ushtarët, i fshiu fytyrën me një shami dhe i tha të kthehej në shtëpi.)
Një nga aspektet më të jashtëzakonshme të rrëfimit të saj është se si SOE e la atë të mbrohej vetë pasi Aleatët fituan betejën e Normandisë dhe puna e saj përfundoi. E rekomanduar nga Londra për shtabin e Ushtrisë Amerikane pranë Kaenit, asaj iu dha udhëzimi të shkonte në Paris. Shumicën e rrugës eci në këmbë dhe arriti, dy muaj më vonë, në derën e kafenesë së famshme “La Coupole”, me pronarin e të cilit e kishte njohur gjyshi i saj para luftës. Siç ka shkruar ajo: “Në pjesën e pasme në ‘La Coupole’ ishte një dhomë me një krevat. Për herë të parë pas pesë muajsh, e dija që isha e sigurt. Fjeta menjëherë”.
Gjatë gjithë historisë së saj, që ndihet shumë e lidhur me kohën tonë, me luftën e madhe në Evropën e afërt, Latouri është modeli i zgjuarsisë, guximit dhe diskrecionit të organizatës së saj. Pasi u zhvendos në Zelandën e Re për të rritur katër fëmijë, jeta e saj pas luftës ishte aq e qetë dhe e zakonshme – ndonëse në dekadën e fundit të jetës ajo u nderua me Legjionin e Nderit [Légion d’Honneur] dhe me Krahët e Parashutistit Francez. Në fund, ajo tregoi historinë e saj, me ndihmën e kineastes dhe shkrimtares Jude Dobson, krejt kjo për shkak të internetit: djemtë e saj kishin zbuluar informacione të pjesshme për të kaluarën e saj dhe e pyetën nëse kjo Pippa Latour ishte me të vërtetë ajo.
Por, guximi i saj nuk mundi të zhdukte plotësisht traumën e shërbimit në SOE. Në këtë libër prekës dhe të përshkruar në mënyrë të mrekullueshme, dy pasoja vazhdojnë të ndihen: autorja nuk u kthye më kurrë në Francë, dhe pas dhunës që përjetoi nga dy ushtarët gjermanë ajo kurrë nuk lejoi më që dikush ta puthte në buzë. /Telegrafi/