Heroinat e gjalla të ditëve tona
Disa fjalë për Shoqatën “JA VLEN TË JETOSH” nga Gjakova, e cila rreth vetes mbledhë gratë gjakovare të prekura dhe të mbijetuara nga kanceri i gjirit, në kuadër të Muajit Rozë – Tetorit
Shkruan : Blerim Valla
Në Kosovë gjithsesi edhe në Gjakovë, ka nisur muaji tetor i njohur si Muaji Rozë, i cili në të gjithë botën njihet si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Dhe ishte Shoqata “Ja vlen të jetosh”, e grave gjakovare të prekura nga kanceri i gjirit dhe llojet e tjera të kancereve, ajo që në Gjakovë organizoi për herë të dytë, një marshim vetëdijësues në qendër të qytetit. Marshim i cili ishte një solidarizim me personat dhe familjet e tyre që janë të prekura nga kanceri i gjirit. Por edhe për të mbështetur të gjitha gratë dhe familjet e tyre që përballen me këtë sfidë të gjatë dhe të kushtueshme.
Kanceri i gjirit prek miliona gra në gjithë botën dhe diagnostikimi i hershëm është një nga armët më të fuqishme në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Kontrolli i rregullt i gjirit, me ultrazë dhe mamografi, janë hapat e parë drejt mbrojtjes së shëndetit tonë. Zbulimi i hershëm pra është padyshim çelësi për të mposhtur kancerin e gjirit!
Këtë aktivitet e ka përgëzuar i pari i komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini, i cili përshëndeti guximin, kurajon, qëndresën dhe luftën e të gjitha grave gjakovare të prekura por edhe ato të mbijetuara nga kanceri i gjirit. Duke i quajtur ato heroina që po i japin shpresë dhe motiv për mbijetesë por edhe për jetë edhe shumë grave të tjera! Kurse në emër të familjareve të prekura nga kanceri i gjirit ka folur znj.Mevlyde Mezini – Saraçi e cila potencoi se këto femra pos përkrahjes morale kanë nevojë edhe për përkrahje materiale nga shteti ynë, nga komuna por edhe nga donatorët e ndryshëm sepse kanceri i gjirit është sëmundje e kushtueshme për buxhetin e një familjeje sidomos për ato femra që s’janë të punësuara!
Shoqata e Femrave të prekuara nga kanceri “Ja vlen të jetosh” me seli në Gjakovë, në gjirin e vet përfshin afro 70 femra gjakovare që janë ballafaquar dhe të mbijetuara nga kanceri i gjirit dhe lloje të tjera të kancerit, është themeluar para një viti dhe udhëhiqet nga arqitektja Valbona Kastrati, edhe e vet kjo e mbijetuar e kancerit të gjirit.
Dhe ishte pikërisht znj. Kastrati që përçoi mesazhin e këtij aktiviteti duke thënë se duhet të luftojmë kundër kësaj sëmundje gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në muajin tetor. Ajo ka ftuar femrat gjakovare të të gjitha moshave ta vizitojnë këtë OJQ, ku mundë të dëgjojnë histori dhe përvoja të ndryshme kur është fjala tek identifikimi i hershëm , mamografia, beteja e lufta e mbijetesës kundër kësaj sëmundje të keqe. Në anën tjetër. Znj. Kastrati ka sjellur edhe përvojën e saj gjatë ballafaqimit me këtë sëmundje, por edhe të shumë grave të Gjakovës , anëtare të shoqatës në fjalë, që janë të prekura nga llojet e ndryshme të kancereve.
Ky manifestim, u pasua me një marshim në qendër të qytetit të Gjakovës ku marshuan qindra pjesëmarrës – e , duke dhënë mesazhe shprese e qëndrese për femrat e prekura nga kanceri i gjirit, por edhe për të vetëdijesuar edhe femrat e tjera për kujdes të shtuar për shëndetin e tyre, para se të ndodhë më e keqja! Njëherit duke kërkuar që pacientet e prekura me kancer në gji të përkrahen më shumë nga institucionet sepse suksesi mund të arrihet me më shumë shërbime shëndetësore, barna, pajisje e të tjera dhe për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e listës së barnave esenciale.
Pëndryshe sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, por edhe nga të dhënat zyrtare të Klinikës Onkologjisë në Prishtinë, për çdo vit në Kosovë identifikohen rreth 500 raste të reja të femrave të identifikuara me kancer të gjirit! Sipas burimeve tona në komunën e Gjakovës janë diku 600 femra të prekura nga ky lloj i kancerit prej tyre disa në fazën e I – rë, të II- të apo të III – të, por edhe shumë prej tyre kanë mbijetuar apo e kanë mposhtur këtë sëmundje të keqe. Kurse sipas statistikave tjera – ato botërore, një në tetë gra në botë preket nga kanceri i gjirit. Edhe meshkujt preken nga kjo sëmundje, por në shkallë më të ulët. Në tërë botën për çdo vit zbulohen rreth 1.2 milionë raste të reja të kancerit të gjirit, me ç’rast deri në 750 mijë raste përfundojnë me vdekje!
Kurse aktiviteti i njohur “Race for the Cure” (Gara për shërim), është ngjarja më e madhe ndërgjegjësuese në botë, dhe është fushatë që organizohet në 140 vende të ndryshme të botës, që ka për qëllim ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje të rëndë. Kjo ngjarje ndihmon organizatat dhe spitalet e ndryshëm të kancerit të gjirit për të mbledhur fonde dhe për të rritur ndërgjegjësimin. Me mbi 500,000 diagnostikime të reja dhe 125,000 femra që vdesin nga kanceri i gjirit në Evropë çdo vit, këto fonde janë të një rëndësie jetike. E sidomos tani më shumë se kurrë edhe për Kosovën!
Me këtë rast duhet përmendur edhe punën e madhe në nivel të Kosovës të dy shoqatave të njohura si: ajo “Renesansa” e udhëhequr nga e mbijetuara e kancerit të gjirit znj Violeta Pirana. Pastaj shoqata që vepron qe dy dekada – “Qendra Kosovare për luftimin e kancerit të gjirit” me emrin “Jeta – Vita” që udhëhiqet nga znj. Nafije Latifi, edhe kjo e mbijetuar e kancerit të gjirit. Sikurse edhe OJQ – ja “Have Hope Kosova” e udhëhequr nga Arnisa Osmani poashtu e mbijetuar e kancerit në fjalë. Dhe të trija këto shoqata po japin maksimumin e tyre në ndihmë shumëvjeçare për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Sikurse edhe Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë me gjithë mjekët e saj të mrekullueshëm (me këtë rast dua ta falenderoj veçmas doktorrin e mrekullive – onkologun e njohur Ardian Millaku-n për kujdesin ndaj gruas time) si dhe stafin tjetër të palodhur dhe profesionist të Onkologjisë që padyshim është një histori suksesi në shëndetësinë kosovare!
Por ajo që është me rëndësi jetike, është ndërtimi i një qendreje për pacientët në fazën terminale të sëmundjes. Kur kihet parasysh mungesa e qendrës për trajtim paliativ për pacientët në faza terminale të sëmundjes që mbeten nën përkujdesjen e familjes, pa pasur ndihmesë për një fund më të dinjitetshëm!