Heroizmi i pikës “Qarri” të UÇK-së dhe rënia e komandantëve Mustafë Qorri e Ajet Beqiri

28 mars 2022 | 19:02

Nga Emrush Haxhiu

Kisha nderin dhe privilegjin të jem luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës i radhitur fillimisht në pikën e fshatit Kopiliç i Epërm e pastaj pse jo tepër i nderuar përkrah komandantëve, dëshmorë të kombit, Ajet Beqiri, Mustafë Qorri dhe Shukri Qorri.

Tani jam i nderuar të shkruaj dhe të evokoj kujtime për luftën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtu në Pemishtë, Padalishtën e dikurshme, por edhe për rëndësinë që sakrifica e protagonistëve të saj pati në këtë luftë.

Fillimi i luftës së armatosur frontale nga Ushtria Çlirimtare e Kosovë në vitin 1997, si Beteja e Rezallës së Re, pastaj Beteja në Çirez e Likoshan në vitin 1998, e në veçanti lufta heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe rënia e Familjes Jashari, dhanë kushtrimin e fortë për lirinë e Kosovës.

Kushtrimi i lirisë tanimë ishte kudo në Drenicë dhe në tërë Kosovën. Ky kushtrim në fshatin Pemishtë mobilizoi menjëherë lagjet Beqiri, Qorri, Fetahaj, Loshaj dhe Shala.

Profesor Ajet Beqiri, si aktivist i kohës, ishte në rrjedha të zhvillimeve luftarake në Drenicë dhe shumë shpejt vendosi kontakte me Komandantin Abedin Rexha “Sandokani” dhe më të tjerë luftëtarë, për të zgjeruar pika të reja të luftës. Ajet Beqiri shumë shpejt hasi në përkrahjen e kushëririt dhe patriotit Mustafë Qorri dhe gjithë të tjerëve. Kështu të dy bashkë shumë shpejt mobilizuan lagjen Beqiri e Qorri, duke formuar pikën e re të rezistencës ”Qarri” në Pemishtë.

Fillimisht lagjet Beqiri dhe Qorri ishin shndërruar ne vendstrehime të sigurta për shumë familje te Drenicës të prekura nga lufta dhe me pas për tu shndërruar në pritje dhe sistemim edhe të shumë luftëtarëve të rrethit dhe të viseve të tjera në kuadër të pikës “Qarri”.

Pika “Qarri” u formua në prill të vitit 1998. Në fillim përbëhej kryesisht nga luftëtarë të lagjes Beqiri e Qorri, me rreth 15 luftëtarë, të udhëhequr nga komandant Ajet Beqiri dhe duke arritur diku në korrik të 1998 në 60 luftëtarë, tani jo vetëm të fshatit Pemishtë por edhe të shumë viseve tjera.

Gjatë vitit 1998, duke pas parasysh zhvillimet, luftimet, ofensivat armike si dhe nevojën për një riorganizim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pika “Qarri” u transformua në strukturë ushtarake si Togu I, Kompania I, Batalioni III i Brigadës 112 “Arben Haliti”, Zona Operative e Drenicës, me komandant Mustafë Qorrin.

Duke pasur parasysh historinë dhe traditën tonë shqiptare, kullat dhe odat tona kanë pasur rol të veçantë në edukimin, arsimimin, motivimin dhe organizmin e shumë luftërave për liri. Kësaj radhe ishte akoma më vendimtar roli i kullave dhe odave.

Shtëpia e hapur dhe e pasur e Halil Beqirit apo Oda e Ajet Beqirit, siç quhej edhe njihej, në kohën e luftës ishte shndërruar në Shtab lokal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por me një rendësi të jashtëzakonshme për sa i përket organizmit të luftës frontale, por edhe si ndërlidhje me zonën Dukagjinit, si pikë kyçe për qarkullimin e armatimit dhe furnizime të tjera logjistike.

Sot, duke u kthyer 24 vite prapa, kujtoj se në Odën e Ajet Beqirit janë marrë shumë vendime, janë dhënë e pranuar urdhra, janë mbajtur shumë takime të pikës “Qarri”, më pas të Togut I, janë pritur e janë përcjell shumë komandantë e luftëtarë me nam, si Bekim Berisha-Abeja, dëshmor-hero, Abedin Rexha “Sandokani”, dëshmor, Ismet Bici, dëshmor, e shumë të tjerë.

Roli i odës së Ajet Beqirit ishte vendimtar në motivimin e të gjithë luftëtarëve të pikës “Qarri”, me pas Togu I, në të gjitha luftimet, siç ishin në fshatin Çitak në prill të vitit 1998, aksioni i bllokimit të magjistrales Mitrovicë – Pejë në qershor 1998, aksionet kundër “Punktit të Rakoshit”, Beteja e 26 marsit 1999, aksioni në Pemishtë në maj 1999 dhe shumë veprime e aksione të tjera luftarake.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s me 24 mars 1999 ishte një ndihmë e madhe dhe shpresë për çlirim, por ishte edhe sinjal se lufta do të bëhej më e ashpër dhe çmimi i lirisë sonë do të ishte më i lartë. Rrethanat e reja të luftës, komandantin për moral të Batalionit, Ajet Beqiri, e gjejnë në detyrë në Shtabin e Batalionit, ndërsa komandant Mustafë Qorrin si zakonisht ne krye të detyrës si komandant i Togut I.

Më 26 mars 1999 komandant Mustafë Qorri udhëhoqi, komandoi dhe luftoi deri në rënien heroike.

Në betejën  e 26 marsit, mitralozi i komandant Mustafë Qorrit ishte arma më e fuqishme, por akoma më i fuqishëm ishte organizimi, morali dhe shpirti luftarak që ai shpërndau te ushtarët e tij deri në frymën e fundit.

Komandant Ajet Beqiri, i gjendur ne situatë të vështirë lufte dhe me detyra të veçanta, në një pritë të okupatorit bie heroikisht në natën e 28 marsit 1999.

Se ushtarët e pikës “Qarri” apo Togut I luftuan e treguan heroizëm gjatë gjithë luftës flasin faktet:

Pika “Qarri” dhe fshati Pemishtë dhanë tre dëshmorë të kombit: komandantin Ajet Beqiri, komandantin Mustafë Qorri dhe dëshmorin Shukri Qorri , ndërsa të plagosur, ushtarët Besnik Beqiri dhe Amir Qorri, invalidë të luftës.

Në përkujtim dhe në përvjetor si ky nuk mund mos përkujtohen edhe ushtarët Bedri Fetahu dhe Fitim Qorri, që humbën jetën aksidentalisht dhe tragjikisht pas çlirimit, duke u përballur me jetën e vështirë për të siguruar mirëqenien e familjes.

Roli, luftimet dhe heroizmat e pikës “Qarri” apo të Togut I, në një fjalim si ky në këtë përvjetor as për se afërmi nuk mund të përfshihen. Prandaj, me të drejtë ia lëmë historisë dhe kohës t’i ndriçojë dhe t’u japë peshën e merituar të gjitha sakrificave që u bënë në këto vise.

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Nderim viktimave civile të luftës!

Lavdi invalidëve të luftës!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për kombin ndër breza!

(Fjalë e mbajtur në manifestimin përkujtimor në fshatin Pemishtë, më 26 mars 2022)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas “B92”, e cila Kosovës i referohet me një emërtim…