Heronjtë i dua të gjallë

01 tetor 2023 | 15:01

Shkruan: Izmi Zeka

Një natë e errët  kur Prishtina vlonte nga zhurma e këngëve e shëtitjet sa ngaherë të kapin drithërimet dhe shpirti të vlon  nga buzagazi i shpirtit të lirë i jetës që nuk kthehet mbrapa. Në anën tjetër televizionet me politikanë që krijon përshtypjen se jeta lindi këtu mes nesh dhe të tjerët janë merimangat që shtrijnë trupin ngado e kudo ku gjejnë vend.

Atje përskaj Kosovës netët kanë dhimbje e herë-herë shpresë.

Sa herë që zgjohem këto ditë nuk e di pse ama kam frikë nga paqja e vyshkur e sidomos kur shohë fëmijët e dalldisur duke lozur me buzëqeshjen e panda. Kam frikë nga paqja që as vet nuk e di pse. Ndoshta pse kam dëgjuar për jetën e djeshme, për nënat që mbetën pa fëmijë, baballarët pa familjar, ndoshta pse unë jam frikacake e rritur në paqe dhe të djeshmen e kam vetëm të dëgjuar dhe kujtim i hidhur.

Ndoshta kur të bëhem e zonja edhe unë si të tjerët nuk do ta ndjejë frikën  ama tash nuk kam shpjegim pse kjo po ndodh me mua.

Harrova të ju them se babin tim e hëngri paqja. Ai ishte ai polici me plot jetë, ku ekranet, portalet ishin të mbushur me fotografinë e tij. Sa herë e pyesja për të djeshmen ai vetëm heshtke. Thua se diçka kishte në shpirt.

Atë ditë që iku unë isha në gjumë. E më mirë tani po them mos të zgjohesha fare. Kam frikë nga paqja. Mendohem e them me vete e pse babai im të vdiste kur liria i kishte rrënjët në gjak e pse, pse që nuk po mundem të gjejë përgjigje ka disa ditë,

Nëna më shikon shpesh dhe nuk flet fare. Nga tradita loti nuk i shihet. Paçka edhe nëse qan e bërtet me të madhe them shpesh. Kulla u shemb për ne e nëna ime as edhe një zë nuk e lëshon, as edhe kur erdhi babai me plumb në ballë. Unë qaja, bërtitja pa nda sikur  fëmijët 5 vjeçar edhe pse sot i kam të 14 –ta.

Unë jam ajo vajza që fola për heroin tim, atë ditë kur të gjithë më shikonit. Ama ju ndoshta nuk e dinit që babai im ishte edhe në të gjallë heroi im. Për atë qava kur fola dhe kur i thash lamtumirë.

Kisha dëgjuar  dhe lexuar se si Drenica u dogj flak gjatë luftës, kisha par dokumentare për fëmijët e vrarë, për baballarët që u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Më kuptoni tani e kam në shpirt dhe po ndjejë se neve na morën diçka nga zemra e që nuk po kam fuqi ta shpjegoj. Të lexosh, të dëgjosh  qenka ndryshe. Tani që më preku shpirtin ju të tjerët që i keni baballarët nuk e kuptoni. Ju mund të flisni, mund të shkruani por shpirtin e keni të qetë.

Atë ditë kur babin e pash të shtrirë mu dukë që toka u nda në dysh. Prandaj kam frikë nga paqja. Nuk e dua këtë paqe që ma mori babanë. Them të drejtën unë doja që heroin tim ta kisha të gjallë e jo te vdekur. Ai ishte babai im më kuptoni. Ai më ledhatonte faqet, më puthte çdo mëngjes. Ai këndonte këngë me sharkinë që e la në mur. E kishte amanet nga babai i tij.

E tani kush do të më thotë eja vajza ime, kush do të më këndoj këngën e bareshës çdo mëngjes, kush do të vijë në shkollë e pesat e mija ti shikoj. Unë e desha heroin tim të gjallë buzagaz.

Nuk i dua heronjtë të vdekur në paqe. Heronjtë i dua të gjallë. Ndoshta veç të vdekur janë heronj.

Jam ende e re dhe plot shpresë. E dua jetën. Babai më iku atë mëngjes përskaj Kosovës.

Më kuptoni njerëz ai nuk është më. Dallëndyshja e tij mbeti pa heroin e gjallë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Ja edhe një rikonfirmim nga ky i…