Heronjtë shpalosen në memorien e historisë kombëtare për të na shërbyer përjetësisht
Fjalë rasti – në ceremoninë e përurimit të shtatoreve të katër heronjve të UÇK-së – Skënder Çeku, Bekim Berisha, Xhemajl Fetahaj dhe Agim Çelaj, në Pejë, më datë 16 qershor 2023
Kudusi Lama
Ngritja e shtatoreve të katër heronjve të Kosovës në Pejë sot, është një mesazh force dhe bindjeje për sigurinë e të ardhmes.
Lufta Çlirimtare e Kosovës, çdo ditë që kalon vjen e bëhet më e pranishme nëpërmjet veprimtarive të tilla të cilat na e madhështojnë historinë dhe na bëjnë krenar për atë që është kryer për ta fituar lirinë e bërë kombin shqiptar.
Këta burra, që vijnë sot në bronz, ishin luftëtarë që me shembullin e jetës së tyre, me shembullin e qëndresës së tyre, me shembullin e papërulësisë së tyre, me shembullin e veprimtarisë së tyre, me shembullin e luftës së tyre, dhe me shembullin e rënies së tyre ishin modeli i luftëtarit, për të dhënë më të mirën nga vetja për të siguruar vijimësinë e luftës deri në çlirimin e atdheut.
Ndodhemi sot përpara shtatores së Skënder Çekut, viganit që gjithë jetën ia kushtoj çështjes kombëtare, i cili kishte cilësinë të ishte udhëheqës i madh dhe ushtar dinamik në frontin e luftës. Ai kishte një mision, të cilin e kishte trashëguar në kohë dhe do ta çonte nëpër shqiptarë për ta mundësuar lirinë me luftë e sakrifica. E për këtë nuk u ndal. Erdhi edhe pranë meje me një detyrë të rëndësishme luftarake, të cilën e kreu me sukses. Por ai nuk ishte i kënaqur të organizonte, të mobilizonte, të armatoste e të krijonte njësi të UÇK-së për t’i nisur drejt fronteve të luftës. Ai donte të ishte vetë në frontin e luftës, donte të ishte me gjithë luftëtarët e tjerë të lirisë përballë forcave të pushtuesit. Prandaj edhe ai atë verë të vitit 1998 do të ishte vazhdimisht në frontin e luftës të Zonën Operative të Dukagjinit, për të bërë luftën më të rreptë e qëndresën më të fortë, deri në vetëmohim, për ta bërë lirinë. Lufta në Loxhë do të ishte epopeja e fundit e tij, ku dha shembullin më të plotë se si luftohet dhe jepet jeta për atdhe. Ai ishte një prijës i devotshëm dhe i kthjelltë për të udhëhequr me shembullin personal dhe me profesionalizmin e luftëtarit dhe të komandantit.
Duke e njohur nga afër Skënderin vlerësoj se për të e pamundura nuk ekzistonte. Ai karakterizohej nga guximi dhe aftësitë e plota luftarake. Këto cilësi e kishin bërë atë figurë të ngritur në radhët e veprimtarëve dhe të luftëtarëve për çështjen kombëtare, ku spikatnin trimëria, maturia, dashamirësia dhe pathyeshmëria, duke u gjendur gjithnjë aty ku e kërkonte detyra dhe ku ishte më e madhe vështirësia.
Ashtu shihet edhe shtatorja e Bekim Berishës, luftëtarit dhe komandantit që mbi gjithçka vendoste qëndresën përballë armikut, për ta bërë frontin të pathyeshëm, qoftë edhe me trupin e tij. Për mua, pa e njohur personalisht është bërë miti i luftëtarit të lirisë, modeli si duhet të jenë e qëndrojnë luftëtarët, si duhet të udhëheqin e qëndrojnë komandantët. Është portreti i trimërisë, pikërisht ashtu si i nevojiteshin luftëtarët atdheut. Ky është modeli se si mund të krijosh një figurë të madhe edhe atje ku nuk të njohin, siç është rasti i Bekimit në luftën e Kroacisë e në luftën e Bosnjës, ku u bë shembull i njohur prej të gjithëve për të dhënë njohuri luftarake luftëtarëve e mësuar ata me shembullin personal nëpër vijat e frontit se si duhet luftuar.
Lufta e tij në radhët e UÇK-së do të mbetet përjetësisht modeli i mësuesit të luftëtarëve dhe i modelit të qëndresëtarit të palëkundur për ta ndalur armikun me forcën fizike dhe shpirtërore të tij. Beteja e Junikut mund të quhet pa menduar se po gabojmë beteja finale e Bekim Berishës, i cili qëndroj deri kur ra, përballë një raporti forcash që nuk e pranojnë doktrinat ushtarake.
Xhemajl Fetahaj, në personin e të cilit ishin koordinuar mrekullisht qetësia dhe trimëria, për ta bërë atë të qëndrueshëm deri në vetëmohim, shihet në këtë shtatore sot, sikur na sjellë mesazhet për unitet ashtu si dje në luftë. Ai ishte i bindur se nuk duhet ndërmarrë asnjë hap më tej, pa krijuar një kolektivitet të mendimit e veprimit, për ta bërë çështjen kombëtare dhe luftën për liri çështje të të gjithë shqiptarëve.
Duke e njohur nga afër mund të them me bindje, se Xhemajli ishte një burrë me tipare të spikatura të qetësisë, të vendosmërisë, të përkushtimit, të besnikërisë, të trimërisë dhe të dashurisë së pakufishme për atdheun dhe gjithë shqiptarët.
Si në organet drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ashtu në ato të fondit ”Vendlindja thërret”, si dhe për mobilizimin e luftëtarëve për luftën për liri, ashtu edhe kur ai erdhi në frontin e luftës, Xhemajl Fetahaj nuk zgjodhi të jetë ku ishin fjalët, por ku merreshin vendimet e kryheshin detyrat.
Ndërsa Agim Çelaj, luftëtari dhe komandanti, që mbi të gjitha kishte jetën e luftëtarëve të tij, të cilët dëshironte t’i kishte të gjithë brenda gjoksit të tij. Ishte një luftëtar që me bindje e shikonte lirinë drejt të cilës vraponte. Ashtu duket edhe sot në këtë shtatore.
Ai duket sikur edhe sot vjen me kërkesën që të gjithë luftëtarët duhet të bëhen mjeshtër të luftës, mjeshtër të armës, mjeshtër të sigurisë dhe mjeshtër të fitores mbi armikun. Këtë e bëri me shumë përkushtim, me të gjithë luftëtarët e lirisë, të cilëve bëri përpjekje që të gjitha njohuritë të cilat i kishte fituar nëpër akademitë ushtarake t’ua kalonte luftëtarëve për t’i bërë ata më të sigurt nëpër frontet e luftës.
Përkushtimi i Agimit për të aftësuar trupat luftarake do të mbetet një trashëgimi e përjetshme në historinë e luftës për çlirim dhe në historinë e forcës ushtarake të Kosovës në të sotmen dhe të ardhmen e saj. Ashtu me maturi, me urtësi, me dashuri, me vendosmëri dhe me trimëri, diç i takon të jetë një udhëheqës ushtarak.
Këta heronj që vijnë sot këtu në këtë shesh na sjellin sigurinë se ky vend është i shenjtë dhe nuk mund të preket e nuk mund të mbetet pa kujdes, se ky vend është vend i heronjve dhe historia do të ndritët më tej.
Peja e qëndresës historike nëpër kohë, sot i vendos edhe këta luftëtarë në radhën e të përndriturve të saj, për t’i përjetësuar në memorien e mjedisit për të sotmen dhe të ardhmen dhe për bërë materializimin e historisë së saj.
Përjetësisht lavdi heronjve dhe nderim luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension