HESHTJA E ÇUDITSHME E SHTETIT PËR VERIUN
Lulëzim ETEMAJ
Që nga 27 nëntori, për çkado që do të ndodhë në veri të Kosovës, përgjegjësinë mund ta marri “populli”, për të mos u ngarkuar askush me përgjegjësi, që do të thotë se përgjegjësia më nuk do të ketë adresë, siç i kishte gjerë me tani kryetarët serbë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Pavarësisht faktit se dorëheqja e katër kryetarëve serbë të komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, që e ka pasuar seancën e jashtëzakonshme të 27 nëtorit, demonstron vullnetin e serbëve të Veriut jo vetëm për shkëputje nga administrimi i shtetit të Kosovës, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, përjashto ndonjë reagim të rrallë gjysmak, kryesisht kanë heshtur. Përderisa heshtja e shtetit të Kosovës është plotësisht e pakuptueshme, kërkesa e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës, si dhe thirrja e seancës së jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për inicimin e ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës, është më tepër se sa një aventurë politike. Nuk janë kryetarët e komunave dhe as kuvendet e tyre ato që e kanë aprovuar Pakon e Ahtisarit, në bazë të së cilës është shpallur shteti i Kosovës, por Kuvendi i Kosovës. Mbi bazën e kësaj pakoje është formuar edhe Komuna e Mitrovicës Veriore si dhe janë përcaktuar kufijtë e të dy komunave. Në këtë rast, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Agim Bahtiri, përderisa të mos merret nën kontroll nga Prishtina, ka resurse të mjaftueshme për ta thelluar krizën në Veri të Kosovës, por jo për ta gjetur formulen që i krijon parakushtet e domosdoshme për ta nxjerrë nga labirinti politik shtetin e Kosovës në raport me këtë pjesë të territorit të vendit, ku, siç u shpreh këto ditë edhe Komandanti i KFOR-it në largim, Cuoci, nuk ka kontroll të plotë dhe ekzistojnë probleme me sovranitetin. Prandaj deklaratat se “nuk e pranojmë cënimin e sovranitetti nga Serbia” nuk janë aspak serioze. Në Veri deri më tani nuk ka ndodhë vetëm cënimi i sovranitetit të Kosovës, por që nga 27 nëntori, atje po ndodhë edhe rrënimi i bazave të administrimit të shtetit të Kosovës dhe po përgatitet terreni për shkëputje edhe të territorit, veprim ky që do ta nxirrte para aktit të kryer shtetin e Kosovës dhe, sipas praktikës së aplikuar jo edhe aq rrallë deri më tani, argumenti i “gjendjes në terren” mund ta çonte atë gjendje edhe në legjitimim ndërkombëtar.