Heshtja që fshehu tragjedinë
Tragjedia e ndodhur dje në Tiranë, ku një familje pothuajse është shuar, kishte kohë që kishte nisur, por ishte mbajtur e fshehtë nga heshtja.
Hulumtimet e sotme të medias, kanë zbuluar se fqinjët dhe familjarët ishin shprehur të shqetësuar për izolimin e gjatë të nënës dhe dy vajzave. Kur policia ka trokitur një ditë në banesën e tyre, gruaja, e cila ka ndërruar jetë dje, është përgjigjur se ishte zgjedhja e tyre që qendronin brenda.
Familja Josifi, nga Përmeti, jetonte në zonën e Kombinatit me qira.
Dyshimet janë se njëra prej vajzave, Anisa kishte kohë që kishte ndërruar jetë, ndoshta një muaj, por mbahej me trajtim me uthull nga e ëma dhe motra tjetër, për të penguar dekompozimin.
Besohet se ato ishin ndjekëse të një rryme fetare dhe po aplikonin mos-ushqyerjen. Çka mendohet se është arsyeja që u ka marrë jetën.
Dje, pasi vëllai i nënës, Zhaneta, ka dhënë alarmin, policia ka shpërthyer derën e banesës dhe ka zbuluar tragjedinë.
Blerta, 33 vjeç, ka mbijetuar dhe është ende në jetë në Spitalin e Traumës. Dëshmia e saj pritet të jetë vendimtare për të zbardhur se çfarë ka ndodhur në këtë familje.