Heshtja që vret – A e meritojmë lirinë?

13 mars 2025 | 12:28

Shkruan: Astrit Gashi

Sot, mbarë populli duhej të ishte para QKUK-së në një marsh paqësor, jo vetëm për të dëshmuar solidaritet ndaj Hashim Thaçit, por për të sfiduar padrejtësinë që po rëndon mbi fatin e një kombi. Por rrugët janë të zbrazëta, shpirtrat e heshtur dhe zemrat e mpira nga frika, zhgënjimi dhe nënshtrimi.
Ironia tragjike e historisë qëndron në faktin se udhëheqësit nuk rrëzohen vetëm nga armiqtë e deklaruar, por shpesh nga ata që vetë i kanë afruar me besim. Hashim Thaçi, me zgjedhjet e tij politike, rrethoi veten me njerëz që jo vetëm nuk mbrojtën atë, por në mënyrë të heshtur apo aktive ndihmuan në krijimin e një realiteti ku bëhet krim në emër të drejtësisë.
Kjo nuk është vetëm beteja e një njeriu. Kjo është një sfidë për të gjithë ne, për të mos lejuar që e vërteta të mbytet nga padrejtësia dhe që historia të shkruhet nga ata që nuk njohin sakrificën e një kombi.
Heshtja e popullit nuk është rastësi, është një produkt i një shoqërie që për dekada është helmuar nga ndarja, interesat personale dhe manipulimi. Kjo heshtje dëshmon se nuk ishte vetëm Serbia ajo që kontribuoi në këtë gjykatë “speciale”. Ajo është fryt i një loje më të madhe, ku tradhtia shpesh nuk vjen nga jashtë, por nga brenda.
Në këtë moment të vështirë, lutemi për shëndetin e babait të Presidentit Thaçi, që zemra e tij e rënduar nga dhimbja të gjejë forcë dhe dritë. Lutemi që ai të mos shohë vetëm padrejtësinë e botës, por edhe shpresën se drejtësia do të triumfojë. Dhe lutemi që populli të zgjohet, të kuptojë peshën e heshtjes dhe të mos e lejojë historinë të përsëritet me të njëjtën tragjedi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Optimizëm i madh për rinovimin e Joshua Kimmich. Mesfushori i…