Heshtja si përmbajtje e britmës

20 dhjetor 2019 | 09:49

Heshtja si përmbajtje e britmës

Agron Gërguri
Dramaturg/regjisor

Në një ambient kamertal, ku frymëmarrja lexohet më saktë se në skenë të madhe dhe drama vjen edhe përmes vijave të ngurta, a të relaksuara të fytyrës, shikimit në bebëza dhe heshtjes dramatike e cila shprehshëm e jep brendësinë shpirtërore të personazheve Veni dhe Vini të dramës “Trenat” e Haqif Mulliqit, premiera e së cilës u dha në Teatrin Kombëtar këtë javë.
Regjisorja Duraku e kishte vendosur shfaqjen “Trenat” në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, ku e gjithë hapësira ishte projektuar si skenografi që ta kujton apo ta krijon imazhin e pritjes së trenit, një infrastrukturë që te ne aktualisht nuk funksionon, por ka simbolikën e fushqishme.
Me një dekor minimalist: disa rroba, këpucë dhe baule, e ku bënim pjesë edhe ne spektatorët e vendosur sikurse në një stacion treni ku mësohet pritja, durimi dhe shkuarja edhe pa buletë në xhep, e ku ikonografi e zëshme ishte edhe një muzikant me një instrument krejt atipik, me një sharki nga e cila nxirrte tinguj nostalgjik për kohën e cila po na ik para jetës, duke e ambientuar shfaqjen me nervin emocional që ajo na e rrëfente si temë.
Trenat si një metaforë e kohës, e asaj të pakapshmes dhe zotërueses së vetvetes, derisa kur jemi brenda saj edhe mund të bëjmë apo të mos bëjmë diçka në jetë, qoftë kjo edhe në kohë lufte siç u ndodh personazheve të dramës.
Vite më larg, por ende nën lëkurën e përjetimit në Kosovë, përpëliteshim, luftonim e udhëtonim drejt lirisë. Në atë rrugë kishte frikë, trimëri, dashuri, vdekje dhe lindje, vite kur të gjithë e kishim jetën në zgripc dhe zemrën plot shpresë.
Burrë e grua, a dashnor, bashkëjetues krejt njëjtë, aktor me profesion po parafrazonin Beketin dhe asgjënë e domethënshme të tij, duke improvizuar skenën nga “Duke pritur Godonë”, derisa vdekja u trokiste në fat me emrin Srebrencë, Aushfic, apo Kurushë a Reçak. Burri po e ruante frikën veç për vete, ndërsa gruaja në embrionin e shtatzënisë ruante vullnetin për jetë, një fëmijë shprese si liria.
Por ajo dhunohet në sytë e pafuqisë së burrit, në përpjekje për t’i dhënë jetë dashurisë. Derisa ajo vdes, autori e fuqizon simboliken e jetës duke na e argumentuar konstatimin e Kamysë, se “vetëm arti mund të kapë të kuptuarit e absurditetit”, në këtë rast të luftës.
Ata të dy në çastin e pritjes së shpresës, e cila vinte me fytyrë vdekjeje, rekapitullonin marrëdhënien duke nxjerrë para nesh fije të holla të cilat vijëzonin karakterin e personazheve të dramës, shkruar mjeshtërisht nga dramaturgu Haqif Mulliqi. Dhe mësojmë dilemën se a mos teatri ishte shpëtimi i tyre siç do të duhej të ishte mekanizmi nëpër të cilin do të duhej kalonim të gjithë për ta rigjetur vetveten e trazuar të lënë matanë vetes përtej kohës.
Autori i dramës dimensionin e kohës e trajton në kohën psikologjike, ku momenti mund të zgjatet pakufi, për të na nxjerrë nga brenda thënie e venerime nga struktura e AND-së njerëzore të cilat në situata normale njeriu di t’i fshehë duke i shndërruar në nëntekst, aty ku fillon të operojë regjisori, në këtë rast regjisorja e cila këtë e bëri suksesshëm me ndihmën e aktorëve Shpëtim Selmani, i cili me disa partitura interpretimi brilant të heshtjes, kur bërtet dhe britmës kur heshtë, ambientohej në poetikën e dramës së Mulliqit, që është kuptimësimi i plotë i heshtjes. Rabije Kryeziu, në një rol të vështirë, të cilin e mbajti nën kontroll gjatë gjithë shfaqjes me amplituda emocionale që të rrëqethnin, me një konsistencë në paraqitjen dhe zhvillimin e karakterit të personazhit në kohën aktive të shfaqjes, pa sforcime të tepruara as në veprimet foljore as fizike, na e dhuroi një personazh, fatin e të cilit e ndjemë.
Kolona muzikore ishte domethënshëm e integruar në shfaqje, e realizuar mjeshtërisht nga instrumentisti Xhamajl Gllavica. Gjithashtu, dizajnimi i dritave ishte i saktë në raport me ambientimin fizik të shfaqjes, pa çka që kanë mundur të jetë “më shumë se kaq” edhe emocion i shfaqjes.

Teatri si laborator

Dhuna dhe përjetimi i saj si vrasje e jetësores deri edhe në embrionin e saj na kthen edhe një herë te drama e madhe e luftës, si jetë nëpër të cilën kemi kaluar kolektivisht e tashmë jemi kthyer në “normalitet”, pa e shëruar rrugën e gjakut dhe lotit. Ne e përjashtuam teatrin si terapi permanente ngaqë vetëm aty heshtja merr kuptimin e britmës shurdhuese, si një laborator apo sanatorium i kthimit te vetvetja. Por, ne sikur u ngjitëm pas politikës apo asaj që ne e quajmë politikë e nuk është përveçse një thashethemnajë e ngritur në konflikt nga adhuruesit e gënjeshtrave premtuese, në vend se ta dëgjojmë heshtjen e Teatrit, sikur po mundohemi që atë ta heshtim.
Mungesa e mesazhit si mesazh i shfaqjes na bën të konstatojmë edhe një herë se teatri jeton edhe në vdekje, sepse ka kohën e vet, këtë dhe shumëçka tjetër për ne dhe luftën na e tha drama “Trenat” e Haqif Mulliqit, që është inskenimi i tretë si shfaqje teatrore me regjisori Agim Selimi (në TKK) dhe vetë autorin Haqif Mulliqi në teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren.

(Fotografinë: Getoarbë Mulliqi Bojaj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë dy ditëve do…