Hetemi jep hollësi për aktivitetin e Institutit për Krime të Luftës
Drejtori ekzekutiv në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ka folur për aktivitetin e Institutit, i cili siç tha ai, në fokus ka krimet e Serbisë në Kosovë.
Ai ka thënë se objektivat e këtij instituti do të jenë hulumtimi, arkivimi i krimeve të kryera gjatë luftës.
Sipas tij, në fokus të veprimtarisë së këtij institucioni do të jenë edhe krimet me karakter ekonomik, social, etj.
Hetemi ka kritikuar për vonesën e krijimit të këtij institucioni, por që, siç shprehet ai, fati i mirë është që ka individë dhe institucione që na dalin në ndihmë për të evidentuar ngjarje dhe krime të ndodhura gjatë luftës në Kosovë.
“Shembull më i mirë në këtë drejtim janë mediet, si partner shumë i rëndësishëm bashkëpunimi, sepse falë punës së tyre ne sot kemi një mori ngjarjesh e krimesh të dokumentuara të cilat në një të ardhme të afërt do të arkivohen, ngase ne mendojmë që të themelojmë arkivin fizik dhe atë dixhital”, tha Hetemi në RTK.
Madje, siç shprehet ai, në mungesë të një arkivi të tillë çfarë është tani, individë, institucione, të cilët kanë materiale të tilla nuk kanë pasur se ku t’i dorëzojnë dhe tani, sipas tij, po krijohet mundësia e deponimit të materialeve në këtë institut.
Hetemi u shpreh mirënjohës për kontributin e të gjithëve që kanë bërë grumbullimin e arkivimin e ngjarjeve të luftës në Kosovë, në veçanti të krimeve të luftës.