Hetemi për vizitën e Kurtit: E kam ditur përafërsisht, s’njoftuan për shkaqe sigurie
03 prill 2024
| 16:17
Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka thënë se “përafërsisht” e ka ditur që kryeministri Albin Kurti do ta vizitojë atë sot (e mërkurë).
Ai ka thënë se nuk i kanë paralajmëruar për vizitën e Kurtit “për shkaqe sigurie”. Sa i përket regjistrimit të popullsisë, Hetemi ka thënë se nuk pret të ketë probleme.
“Unë jam i bindur që nuk do të ketë problem se ai është për të mirën e qytetarit ku jena sot, sa qytetarë i ka komuna, me i dit edhe pronat, banesat”, ka thënë ai.
Hetemi ka folur edhe për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill në veri për shkarkimin e tij dhe tre kryetarëve tjerë.
“Ato ia ka lejuar Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe nëse shkarkohemi nuk është problem”, ka thënë ai.