Hetimet e IPK-së për arrestimin e Gjuriqit, reagon zëvendësministri Zeka
Më 26 mars, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte hyrë në Kosovë pa leje, për çka reaguan menjëherë institucionet e vendit duke e arrestuar atë.
Në aksion morën pjesë dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, por ishte Njësia Speciale Intervenuese që kapi Gjuriqin gjatë tubimit që po mbante me serbët e veriut.
Për sjelljen e policëve të Kosovës ishte ankuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq, sipas të cilit, gjatë arrestimit zyrtarët përdorën forcë.
Pas ankesës së Radojeviq, Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve ka nisur të martën mbledhjen e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët policor.
“Në lidhje me rastin e arrestimit të Marko Gjuriq, IPK respektivisht Departamenti i Hetimeve ka filluar me mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë operacion policor, IPK ka pranuar një ankesë nga zv. Ministri i Punëve të Brendshme z. Milan Radojeviq, lidhur më disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve Policor”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Mendim ndryshe nga Radojeviq ka zëvendësministri tjetër i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.
Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Policia e Kosovës atë ditë ka kryer një aksion profesional dhe konform ligjeve të Kosovës.
“Policia e Kosovës në rastin e Gjuriqit e ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe jo vetëm që e themi ne si Ministri e Punëve të Brendshme por këtë e kanë vërtetuar edhe NATO-ja dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pas ankesës së zëvendësministrit nga komuniteti serb, Inspektorati policor detyrohet, në njëfarë forme e ka obligim që jo vetëm zëvendësministri, por edhe kur ndonjë qytetar të ankohet, ta udhëheq si procedurë dhe ta përfundoj atë (hetimin)”, ka thënë Zeka.
Këtë vlerësim për policinë, Zeka tha se nuk e ka individual por se kështu mendon tërë Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Nuk dua të përzihem në çështje të inspektoratit, sepse është organ që e ka një pavarësi por megjithatë ne besojmë që policia ka qenë korrekte dhe e ka kryer një aksion që ka qenë vendim edhe i drejtorit të policisë dhe institucioneve të Kosovës që Marko Gjuriq të kthehet nga ka ardhur sepse ka hyr pa leje në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Zeka.