Hetimet e reja duhet të zbulojnë vrasësit e Astrit Deharit
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
1. Pasi analizuan procesverbalet e hetuesisë, raportin e autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, rezultatet e punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të dhënat për aspektet fizike, psikologjike dhe sociale, që kanë të bëjnë me vdekjen e Astrit Deharit dhe analizat e ADN-së që janë bërë në Zvicër, ekspertët mjeko-ligjorë të Qendrës Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë dorëzuan te mandatari i këtij hulumtimi dy ekspertiza: EI180001 TF/SG/jb, të datës 14 qershor 2019 dhe EI190001 SG/TF/VIC, të datës 9 shtator 2019.
Nga analizat e detajuara të ekipit mjeko-ligjor zviceran dalin përfundimet e mëposhtme, të cilat janë analizuar më gjerësisht në shkrimet paraprake:
– Deklarata e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e datës 18 nëntor 2016, se gjoja “të gjitha provat dhe ekzaminimet demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje” nuk është e saktë.
– Analiza që kanë bërë ekspertët zviceranë dëshmon në mënyrë të pakontestueshme, se edhe në hipotezën më ekstreme, në rastin nëse Astrit Dehari do të kishte dashur të bënte vetëvrasje, ai nuk do të kishte mundur t’ia zinte frymën vetes me një shishe plastike, në mënyrën siç e kanë shpjeguar ekspertët e Kosovës.
– Një vetëvrasje e tillë, praktikisht, nuk është e mundur, sepse kur ndërpritet furnizimi me oksigjeni organizmit, kemi “zvogëlimin ose ndërprerjen e tërësishme të ardhjes së gjakut të pasur me oksigjen në tru dhe kjo shkakton humbje të vetëdijes dhe të tonusit muskulor (tensionit të lehtë muskulor, që mundëson funksionimin e tyre edhe në gjendje qetësie). Humbja e tonusit muskulor e bën të pamundur që t’i zihet fryma vetes duke mbajtur një send në rrugët e frymëmarrjes. Nëse shishja është prej plastike, me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde, ashtu siç ishte shishja plastike e mjaltit që u përdor kundër Astrit Deharit, ajo nuk do të kishte qenë në gjendje të qëndronte e bllokuar në faring në atë mënyrë, që të mund të pengonte tërësisht frymëmarrjen”.
– Në aspektin teorik, një vetëvrasje me mjete të tilla do të kishte mundur të ndodhte vetëm në një skenar të imagjinuar: “Në rast se viktima shtrihet në bark dhe në kohën kur e humb vetëdijen, shishja mbetet e bllokuar në mes të kokës dhe tokës dhe, në mënyrë efikase, vazhdon të mbyllë rrugët e frymëmarrjes. Mundësia e realizimit të një skenari të tillë nuk pranohet nga autorët që citohen. Bëhet fjalë për një mundësi pa asnjë gjasë që të ndodhë, sepse duhet, gjithashtu,që të kemi parasysh, se gjatë fazës së shtrëngimeve muskulore që i karakterizon asfiksitë, lëvizjet e trupit do ta pengonin ruajtjen e këtij pozicioni, do të bënin që shishja të rrëshqiste ose të lëvizte dhe të liroheshin rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, përsëri duhet të nënvizojmë se skenari i fundit për të cilin folëm, nuk mund të merret parasysh në rastin e z. Dehari, sepse trupi i tij është gjetur i shtrirë horizontalisht në shpinë (dekumitusdorsal), ashtu siç është thënë nga të gjithë dëshmitarët”.
Pra, sipas ekspertëve zviceranë, edhe në një hipotezë me skenar të imagjinuar, Astrit Dehari nuk e ka pasur të mundur të bëjë vetëvrasje, sepse trupi i tij është gjetur në një pozicion të tillë, që përjashton mundësinë që shishja plastike të vazhdonte t’i pengonte rrugët e frymëmarrjes.
Për shkak të pamundësisë objektive që të kryej vetëvrasje, në konkluzionet e ekspertizës së tij, ekipi mjeko-ligjor zviceran thekson se “vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë të Kosovës, duket e vogël” dhe që në konkluzionin e parë ata deklarojnë hapur se “kanë dyshime sa u përket rrethanave të vdekjes së z. Astrit Dehari”.
2. Për ekipin mjeko-ligjor shishja plastike nuk është mekanizmi i vetëm që është përdorur për t’i zënë frymën Astrit Deharit.
Lëndimet që Astrit Dehari ka pasur në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë, nuk janë lëndime sipërfaqësore që lidhen me bartjen apo transportin e trupit, por mavijosje, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta, të cilat kanë qenë të shkaktuara në vendet karakteristike për lëndime, që bëhen gjatë kapjeve në qafë, të llojit “çelësi i krahut”, ose nëpërmjet formave të tjera të dhunës në qafë”.
Nga tërësia e lëndimeve të lartpërmendura, dhuna e shkaktuar në qafë është shenjë e pakontestueshme se, përveç shishes plastike, është përdorur edhe së paku një mekanizëm tjetër për të penguar rrugët e frymëmarrjes së Astrit Deharit. “Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”, – këmbëngulin ekspertët zviceranë.
3. Duke e argumentuar në mënyrë shkencore, se Astrit Dehari nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje, në mënyrën si e kanë përshkruar ekspertët e Kosovës, dhe as që e ka pasur të mundur t’i shkaktojë vetes lëndimet e lartpërmendura, del qartë se vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje.
4. Në rezultatet e analizës së ADN-së (Nr. Labo: 19-T03497), të përfshira në raportin e ekspertizës plotësuese (EI 190001), të datës 9 shtator 2019, përmenden një varg lëshimesh që janë bërë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Për ilustrim ata përmendin fakti që Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk ka bërë analiza të ADN-së në mostrën e marrë nga ora e Astrit Deharit, me arsyetimin se gjoja mostra përmbante “pak ose aspak ADN”.Për këtë çështje ata deklarojnë: “Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur, i emëruar në raport si H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”.Për këtë arsye kemi konkluzionin e tretë të ekipit mjeko-ligjor zviceran, nëpërmjet të cilit ky ekip shpreh gatishmërinë e tij për të kontribuuar në ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”.
5. Ndriçimi i rastit “Astrit Dehari” nuk mund të ketë qasje tjetër, pos një hetim i plotë për të zbuluar vrasësit e Astrit Deharit. Çdo qasje tjetër do të ishte humbje kohe dhe nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si përpjekje për të mbajtur të fshehur autorët e këtij krimi.
6. Nëse vërtet ka vullnet që të ndriçohet vrasja e Astrit Deharit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu, do të duhej t’i jepte menjëherë mandat Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, që ekipi i ekspertëve të tyre të bëjë analizat e gjurmëve gjenetike në sendet që janë gjetur në dhomën e krimit, të cilat nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, duke përfshirë edhe jastëkun me jargë që është gjetur në tokë, në dhomën ku Astrit Dehari është gjetur i vdekur nga zënia e frymës.
7. Krahas ndihmës për analiza gjenetike, Prokurori i Shtetit do të duhej të kërkonte ndihmën ndërkombëtare për një ekspertizë të dosjes së hetuesisë. Kjo dosje është përplot me kundërthënie, shfrytëzimi i së cilave do ta përshpejtonte nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që kanë kryer këtë krim të shëmtuar. Vetëm atëherë mund të merren si serioze angazhimet publike të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezit, për zhvillimin e hetimeve të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”.
(VIJON: Përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e krimit)