Hetimet për sulmin në “Ibër Lepenc” mund të zgjasin më shumë se dy vjet

24 shkurt 2025 | 08:18

Më 29 nëntor të vitit 2024, në pjesën veriore të Kosovës në fshatin Varagë të komunës së  Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i fuqishëm në kanalin e “Ibër Lepencit”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Incidenti i cili ndodhi në veriun e vendit ka ngjallur reagime të shumta nga autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Sulmi ka mundur të rrezikoj furnizimin me ujë dhe energji elektrike, por pavarësisht dëmtimit që ishte shkaktuar tek kanali ai u rindërtuar brenda një muaji.

Nga ky rast disa të dyshuar janë marrë në pyetje, derisa vetëm dy prej tyre janë në paraburgim: Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq.

Hetimet për autorët dhe motivet e këtij akti të dhunshëm janë ende duke vazhduar, derisa tash e dy muaj nuk ka asnjë detaj lidhur me këto hetime që po zhvillohen për sulmin në “Ibër Lepenc”.

Njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se vonesa e hetimeve për sulmin në veri do të zgjasë ende, pasi rasti ka qenë i rëndë dhe i duhet kohë Prokurorisë për ta zbuluar në detaje rrethanat se si ka ndodhur.

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha në një prononcim për “Front Online” ka vlerësuar se rasti i sulmit në “Ibër Lepenc” do të marrë kohë për hetim.

Sipas tij, kjo mund të zgjasë deri në 2 vite e gjysmë.

“Ky rast ka qenë i rëndë dhe do të marrë kohë për hetim dhe varet nga rrethanat e rastit se si ka ndodhë personave të dyshuar etj. Hetimet në raste të tilla zgjasin deri 2 vjet e gjysmë, po varet se si do të shkojë ky rast”, deklaroi Hoxha.

Hoxha tregon se me përveç prokurorit të rastit, askush se ka mbikëqyrjen e këtyre rasteve të rënda.

“Prokurori i çështjes e dinë më së miri se si është duke shkuar rrjedha e hetimeve lidhur me sulmin në Ibër Lepenc, pasi që janë hap hetimet. Prokurori i ka nën mbikëqyrje ato dhe çdo veprim që ndërmerret me autorizimin të Prokurorit të çështjes askush se ka mbikëqyrjen e këtyre rasteve përveç prokurorit”, tha Hoxha.

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj thotë se kjo çështje është në dorën e Prokurorisë, derisa thekson se edhe FBI është duke i dhënë ndihmë Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Sulmi në Ibër-Lepenc është çështje e prokurorisë, ku në këtë rast janë të arrestuar dy persona deri me tani. Si e ka përmendur edhe ambasadori amerikan në këtë çështje është duke e ndihmuar Kosovën edhe FBI”, thotë Miftaraj.

Miftaraj vlerëson se Qeveria nuk duhet të ekspozon informata lidhur me sulmin në veri për ta ruajtur konfidencialitetin e hetimeve.

“Në këtë drejtim, sa më pak që qeveria e Kosovës ekspozon informata lidhur me këtë rast është më mirë që të ruhet konfidencialiteti dhe integriteti i hetimeve”, shprehet ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur Faik Rexhepi, simboli i rezistencës kundër regjimit serb…