‘Hetimet për vrasjen e Liridona Ademajt, pritet të zgjasin shumë’, gazetari zbulon thirrjen nga Suedia për ngjarjen e rëndë
Nëpërmjet një lidhje skype për “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa në Top News, gazetari Venhar Isufi foli mbi hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt.
Isufi tha se hetimet pritet të zgjasin edhe për shumë kohë pasi vetë familjarët e viktrimës, kanë kërkuar që rasti të hetohet deri në detaje, madje theksoi se edhe nga Suedia për shkak se Ademaj ishte shtetase suedeze, ka pasur thirrje që vendimi përfundimtar të jetë profesional dhe i paanshëm.
“Hetimet do të zgjasin shumë gjatë. Familjarët e Liridona Ademajt kërkojnë vetëm zbardhjen e plotë të ngjarjes, sado që të mund të zgjasin hetimet. Pritet që Prokuroria Speciale të mbledhë ende informacione të sakta sepse kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë. Kemi të bëjmë me një shtetas të Suedisë dhe dimë që nga fillimi thirrja nga Suedia ka qenë që hetimi për këtë rast të shkojë deri në fund dhe vendimi përfundimtar të merret në mënyrë profesionale dhe jo të anshme”- u shpreh gazetari.
Ditë më parë, gjykata mori vendimin për të liruar njërin prej të dyshuarve i cili dyshohet se kishte siguruar armën për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërsa bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli dhe dy të tjerë po mbahen në paraburgim prej muajsh për planifikimin e ngjarjes.