Hetimet të nisin duke intervistuar Sveçlën për nxitje të kërcënimeve
Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, sërish i ka reaguar ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se kanë nisur hetimet ndaj deputetit Pacolli. Në reagimin e tij, Zyberaj ka shkruar se e mirëpret deklaratën e Xhelal Sveçlës për hetime ndaj kërcënimeve të bëra kundër Behgjet Pacollit. Mirëpo, ai ia ka përmendur Sveçlës deklaratat e tij për arrestimin e Pacollit, të cilën, sipas Zyberajt, do të duhej të iniciohej nga Prokuroria dhe Policia e shtetit e jo nga ana e ministrit. Madje, këshilltari i Pacollit thotë se deklaratat e Sveçlës kanë qenë shkaku dhe motivimi për militantët e tyre duke bërë kërcënime me jetë nga njerëzit me mendësi fashiste.
Reagimi i Zyberajt:
Unë mirëpres deklaratën e Ministrit Sveqla për hetime për kërcënimet e bëra kundër z. Pacolli dhe familjes së tij, megjithëse në një sistem demokratik Ministri nuk është përgjegjës për drejtimin e hetimeve por vetë Policia dhe Prokuroria.
Hetimi për kërcënimin dhe arrestimin e një deputeti të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, në këtë rast z. Pacolli duhet të fillojë duke marrë në pyetje saktësisht zotin Sveqla dhe hetuar deklaratat e tij të bëra javën e kaluar si arsyeja motivuese për nxitjen e valës së kërcënimeve. Deklaratat e tij u bënë shkaku dhe motivimi për militantët e tyre duke bërë kërcënime me jetë nga njerëzit me mendësi fashiste.