Hetimet tremujore të policisë rezultojnë me arrestimin e disa trafikantëve të drogës
Policia e Kosovës, në dy raste ka arrestuar pesë persona për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge” dhe ka konfiskuar një sasi lëndësh që dyshohet të jenë narkotik.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia Prishtinë, ka zhvilluar një hetimi rreth tremujorë kundër një grupi të personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale: “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
Më 27.10.2018, njësiti i antidrogës të ndihmuar edhe nga Njësia për Reagim të Shpejtë, ka planifikuar arrestimin e personave të dyshuar. “Në orën 21:00, në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ka ndalur veturën me targa vendore në të cilën ndodheshin katër persona. Të dyshuarit që gjendeshin në veturë ishin: F.R. viti i lindjes 1990; A.H. viti i lindjes 1989; K.B. viti i lindjes 1998 dhe A.I. viti i lindjes 1998. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dy qese me narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 3.3 gramë dhe një shufër metalike. Gjatë kontrollit trupor, tek i dyshuari F. R, janë gjetur pesë qese me bari ngjyrë të gjelbër e dyshuar si marihuanë me peshë prej 7.4 grame dhe 50 euro para të gatshme. Tek i dyshuari A. H, janë gjetur dymbëdhjetë qese me narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 17.6 gramësh dhe para të gatshme në vlerë prej 70 euro. Tek i dyshuari K.B, janë gjetur 200 euro para të gatshme të gjitha nga 5 euro që dyshohet të jenë fituar nga shitjet e narkotikeve”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Më tej thuhet se në konsultim me prokurorin kujdestar dhe me urdhër verbal të GJPP-së është bërë kontrollimi i shtëpisë se të dyshuarit F.R. dhe në banesën e personave të dyshuar (banesë e shfrytëzuar bashkërisht nga të katër të dyshuarit), ku janë gjetur: 14 paketime me të mëdha me marihuanë me peshë 718.1 gramë, një paketim me marihuanë peshë 1006 gram, 1 paketim me marihuanë me peshë prej 503.4 grame si dhe 153 qese të vogla të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë të gatshme për shitje me peshë prej 234.8 gramë, dy peshore elektronike, rreth 200 qese të zbrazura sikur ato të cilat janë paketuar narkotiket për shitje, pasaporta e personit të dyshuar shtetas i Shqipërisë si dhe një fletore me shënime për shitje të narkotikeve. “Të gjitha këto dhe vetura e të dyshuarave janë konfiskuar. Pas intervistimit të personave të dyshuar, me vendim te prokurorit të krimeve të renda, ata dërgohen në qendrën e mbajtjes”, është theksuar në komunikatën e Policisë.
Po ashtu, nga njësia e njëjtë policore, më 26.10.2018, pas marrjes së lejes nga organet e drejtësisë, është kontrolluar banesa në Prishtinë e një të dyshuari, B.M. viti i lindjes 1975. Aty janë gjetur dhe konfiskuar 110.1 gramë substancë narkotike, dyshohet të jetë heroinë dhe rreth 9 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë. I dyshuari, me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.