Hetimi i OKB: Nëntë punonjës të UNRWA mund të jenë përfshirë në sulmet e Hamasit më 7 tetor
Nëntë punonjës të UNRWA, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, mund të kenë qenë të përfshirë në sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael, sipas një hetimi të OKB-së.
Më konkretisht, OKB kreu një hetim të brendshëm me gjithsej 19 punonjës.
“Për 9 prej tyre, kishte prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se ata mund të kenë qenë të përfshirë në sulmet e 7 tetorit”, tha zëvendës zëdhënësi i Organizatës, Farhan Haq, duke shprehur më pas synimin e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit me ta.
Në fund të janarit, autoritetet izraelite fillimisht akuzuan 12 punonjës të UNRWA-s për përfshirje në sulmet e 7 tetorit. Shtatë emra të tjerë u shtuan më pas në listë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje menjëherë për një hetim nga shërbimet e auditimit të brendshëm të Organizatës (BSCI).
Për një nga ata individë BSCI nuk gjeti prova për të mbështetur akuzën dhe në nëntë raste të tjera provat ishin “të pamjaftueshme”, tha Farhan Haq.
Zëdhënësi theksoi se hetimet janë konfidenciale dhe nuk dha detaje.
Por “kemi informacion të mjaftueshëm për të marrë masat që po marrim, përkatësisht shkarkimin e këtyre nëntë personave”, shtoi ai.
Izraeli ka pretenduar më parë se më shumë se 450 anëtarë të stafit të UNËRA ishin anëtarë të grupeve terroriste, por një rishikim i OKB-së i publikuar në prill zbuloi se Izraeli nuk kishte ofruar prova për pretendimet e tij.
UNRWA, e cila punëson 13,000 njerëz në Gaza, tha në mars se disa nga stafi i saj raportuan se ishin nën presion nga autoritetet izraelite për të bërë deklarata të rreme ndërsa ishin në paraburgim.
Shumica e vendeve tërhoqën fondet për agjencinë e OKB-së për shkak të pretendimeve të bëra nga Izraeli.