Hetuesit e IPK-së arrestojnë të dyshuarin për dhënie ryshfeti ndaj një polici në Gjakovë
Inspektorati Policor i Kosovës përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve si vazhdimësi e veprimeve hetimore kanë arrestuar sot edhe qytetarin e përfshirë në rastin “Marrje ryshfeti” nga një zyrtar policor, me dyshimin se qytetari ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë kurse të dyshuarit i caktuar masa e ndalimit për 48 orë, njofton policia.
Me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja kishte iniciuar procedurë penale ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” duke i ofruar zyrtarit policor 1 mijë euro.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.