Hetuesit e OKB-së gjejnë prova në rritje për krime lufte të forcave ruse në Ukrainë

27 shtator 2023 | 12:46

Një raport i ri i Komisionit të OKB-së për Hetime në Ukrainë ka paraqitur një mori provash gjithnjë e në rritje për krime lufte dhe krime të mundshme kundër njerëzimit të kryera nga Rusia në luftën e saj të agresionit ndaj shtetit ukrainas.

Raporti, i cili është paraqitur këtë javë përpara Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, paraqet një panoramë shkeljesh të gjera dhe abuzimesh me popullsinë civile, si dhe të shkatërrimit të qëllimshëm në masë të gjerë të infrastrukturës thelbësore. “Komisioni është i shqetësuar nga provat e vazhdueshme për krime lufte të kryera nga forcat e armatosura të Rusisë në Ukrainë. Ndërsa gjendemi në vitin e dytë të konfliktit të armatosur, populli në Ukrainë vazhdon të përballet me humbjen dhe me plagët e të dashurve të tyre, me shkatërrimin në masë të gjerë, me vuajtjen dhe traumën, si dhe me vështirësitë ekonomike që kanë rezultuar prej kësaj. Mijëra janë vrarë dhe janë plagosur, dhe miliona vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda vendit apo jashtë tij”, ka thënë Erik Mose, kryetar i komisionit

Rusia i ka bojkotuar punimet e këtij komisioni dhe nuk ishte e pranishme në sallë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave. Në të kaluarën ajo ka mohuar të ketë vendosur në objektiv civilët.

Shifrat e  fundit nga Zyra e komisionarit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, flasin për 9 614 civilë të vrarë dhe 17 535 të plagosur, që kur Rusia ka sulmuar Ukrainën në shkurt 2022. Agjencia ka vënë në dukje se megjithatë numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

 

Statistikat e agjencisë së OKB-së për refugjatët (UNHCR) tregojnë se 5.1 milionë persona janë të zhvendosur brenda Ukrainës dhe 6 197 200 të tjerë janë larguar drejt vendeve të tjera si refugjatë.

Që kur është krijuar në mars 2022, komisioni prej tre anëtarësh e ka vizituar Ukrainën mbi 10 herë, për të mbledhur informacion nga autoritetet qeveritare dhe për të “dëgjuar dëshmitë tronditëse” nga viktimat dhe dëshmitarët e abuzimeve.

Hetuesit kanë raportuar se “sulmet me armë eksplozive në zonat e populluara kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe dëme, dhe kanë qenë shkaku kryesor i vdekjeve dhe plagosjeve në radhët e popullsisë civile”.

Ata kanë dokumentuar sulme me armë eksplozive ndaj godinave të banimit, një stacioni hekurudhor, magazinave tregtare, objekteve mjekësore dhe të tjera, që kanë ndërprerë shërbimet dhe furnizimet jetësore.

Në Kherson dhe Zaporizhia, rajone që patën qëndruar gjatë nën pushtimin e forcave ruse, komisioni ka mbledhur prova të tjera që tregojnë se përdorimi i torturës nga forcat e armatosura ruse në zonat nën kontrollin e tyre ka qenë i përhapur dhe sistematik, duke vënë në dukje se objektivat kryesore të torturës ishin personat e akuzuar si informatorë të forcave të armatosura të Ukrainës.

Prokurori i përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin, duke iu drejtuar punimeve me një lidhje me video, ku ka kritikuar “mizoritë masive të kryera në një shkallë tronditëse nga Rusia gjatë luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës”.

Ai ka folur me pasion dhe zemërim për dëmin e shkaktuar ndaj më shumë se 19 000 fëmijëve ukrainas që janë transferuar dhe dëbuar me forcë nga vendi i tyre nga zyrtarët më të lartë të Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia e Antikontrabandës së Doganës së Kosovës ka organizuar operacion…