Hetuesit e Speciales përfundojnë bastisjen në banesën e Kadri Veselit

06 nëntor 2020 | 12:52

Zyrtarë të Speciales kanë përfunduar bastisjen në banesën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Bastisja në banesën e Veselit ka filluar qysh nga mëngjesi dhe hetuesit e Speciales janë parë duke dal edhe me disa pako nga banesa e tij.

Ndryshe Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka konfirmuar se është duke kryer operacione në Kosovë.

Përmes një njoftimi drejtuar medieve, ZPS-ja ka njoftuar se aksionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, ka njoftuar ZPS-ja.

Zyrtarë të EULEX-it kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e ish presidentit Hashim Thaçi.

Dhomat e Specializuara në Hagë dje kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 5 nëntor, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë më parë, më 4 nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe…