Hezbollahu merr përgjegjësinë për raketat e lëshuara në Izrael gjatë të shtunës
Hezbollahu mori përgjegjësinë për gjuajtjen e raketave antitank nga kufiri libanez drejt Izraelit gjatë ditës së shtunë.
Organizata njoftoi se një nga militantët e saj ishte vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite në Liban.
Sipas “Al Jazeera”, militanti u vra nga zjarri i artilerisë izraelite në fshatin Khula në Libanin jugor.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit është tani në ditën e saj të 15-të, pas sulmit më 7 tetor, i cili la të paktën 1 mijë e 300 izraelitë të vdekur dhe mbi 3 mijë e 300 të plagosur.
Në Rripin e Gazës, ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raporton se të paktën 4 mijë e 137 janë vrarë dhe mbi 13 mijë janë plagosur.
Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez po mbajnë peng më shumë se 210 ushtarë dhe civilë, përfshirë shtetas të huaj.
Të premten vonë, dy pengje amerikanë u liruan nga Hamasi pas përfshirjes së Katarit në ndërmjetësimet për lirimin e pengjeve.
Një deklaratë e Hamasit thotë se të dy u liruan “për t’i provuar popullit amerikan dhe botës se pretendimet e bëra nga Biden dhe administrata e tij fashiste janë të rreme dhe të pabaza”.