HIB Petrol, sponsor i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës
Kompania lidere në tregun e derivateve në Kosovë, HIB Petrol, i është bashkuar planit strategjik të marketingut të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Prej sot, HIB Petrol është sponsor i ri i KOK-ut, në rrugën drejt sukseseve të përbashkëta. Kontrata 1-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për kohë më të gjatë, u nënshkrua në Hotel Emerald nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe pronari i HIB Petroll, Kujtim Bucaliu. Të pranishëm në konferencë ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe drejtori gjeneral i HIB Petrol, Hysen Lajçi.
Presidenti Hasani, ka thënë se është nderë dhe kënaqësi që KOK-u si institucioni më i lartë sportiv në vend, nis bashkëpunimin me kompaninë lidere në Kosovë, HIB Petrol.
“KOK-u, ashtu sikurse HIB Petrol synon majat dhe këto dy vlera na lidhin së bashku. Bashkimi i këtyre dy brendeve do ta krijojë një vlerë të re, e cila do të përkthehet në rezultate më të mira për të dyja kompanitë që përfaqësojmë. HIB-i është i njohur për mbështetje të sportit në Kosovë për dekada të tëra, dhe ne shprehim kënaqësinë dhe nderin për këtë bashkëpunim që vjen në kohën kur Ligji për Sponsorizim mundëson një gërshetim të komunitetit të sportit dhe biznesit”, ka thënë Hasani.
Edhe drejtori gjeneral i HIB-it, Hysen Lajçi deklaroi se kanë zgjedhur KOK-un për të sponsorizuar, pasi njëkohësisht do të sponsorizojnë të gjithë sportistët e Kosovës.
“Kemi lidhur marrëveshje sponsorizimi për të përkrahur sportistët e Kosovës, duke i konsideruar se ndajmë vija të përbashkëta me këta sportistë, të cilët në vitet e fundit e kanë lartësuar lartë shtetin e Kosovës, duke sjell medalje të shumta, si dhe duke ngritur flamurin e Kosovës anekënd botës. Tash e tutje, sportistët e Kosovës do ta kenë në krahun e tyre kompaninë më të fuqishme të Kosovës dhe besoj se bashkërisht do të krijojmë dhe do të vrapojmë pas sukseseve të reja, pasi vetëm ne si kompani që e dinë vlerën e tregut dhe shijen e fitoreve mund të ndihmojë sportistët kosovarë”, është shprehur Lajçi.
Të dyja palët janë zotuar për bashkëpunim afatgjatë dhe krijim të kushteve dhe mundësive të reja për sportistët e Kosovës. Aktualisht, HIB është ndër korporatat më të mëdha në vend, e cila ka mbi 1000 të punësuar të rregullt, në njësinë e HIB Petrol dhe hotelit me pesë yje, Emerald.
/Epoka e re/