Hidhen poshtë mocionet e Thaçit, Veselit dhe Selimit
Gjykata Speciale ka bërë me dije se gjyqtari i procedurës paraprake ka hedhur poshtë mocionet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit mbi ligjshmërinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), si dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të caktuara kushtetuese të të akuzuarve.
Sipas njoftimit, vendimin mbi hedhjen poshtë të mocioneve gjyqtari paraprak e ka marrë më 31 gusht.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.