Hidhet shorti për edicionin e ri në basketboll
Të premten në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës është hedhur shorti për garat e Superligës, Ligën e Femrave dhe Ligën e Parë për edicionin 2019-2020.
Ky edicion i elitës së basketbollit pritet të jetë shumë interesant, me rikthimin e Pejës, derisa ka nëntë skuadra, pra me 36 xhiro, ku dy skuadrat e fundit do të bien nga elita, derisa vendi i shtatë do të luajë në “Play-out” me finalistin e Ligës së Parë. Në xhiron e parë të Superligës do të takohen: Bashkimi-Lipjani, Golden Eagle Ylli-Feronikeli, Rahoveci-Sigal Prishtina, Ponte-Prizreni, derisa Trepça do të pushojë. Në javën e parë veçohet ndeshja Rahoveci-Sigal Prishtina, skuadra që do të luajnë edhe për Superkupë më 24 shtator, derisa edicionin e kaluar ishin finalistë të “play-off”-it dhe Kupës, ku triumfuan prishtinasit.
Në Ligën e Parë, në javën e parë do të takohen: Drita-Vëllaznimi, Vushtrria-Kerasan Prishtina, Borea-Istogu, New Basket-As Prishtina dhe Prishtina e Re pushon. Në Ligën e Femrave në xhiron e parë do të takohen: Kastrioti-Penza, Vëllaznimi-Prishtina dhe Bashkimi Trepça. Garat e elitës do të fillojnë më 28/29 shtator, Liga e Parë fillon më 16 tetor, derisa Liga e Femrave më 12 tetor.
Xhiroja e parë e Superligës
Bashkimi – Lipjani
Golden Eagle Ylli – Feronikeli
Rahoveci – Sigal Prishtina
Ponte Prizreni – Peja
Trepça (pushon)