“Hidrocentralet”, sot pritet të mbahet seanca e radhës për katër ish-ministrat
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot nga ora 9 e 30 pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ku po akuzohen katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq. Bashkë me ta po akuzohen edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.
Ata akuzohen se me procedurën e privatizimit të katër hidrocentraleve, Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Seanca e fundit në këtë rast u mbajt më 10 shkurt, ku u aprovua propozimi i PSRK-së për leximin e deklaratave të katër dëshmitarëve.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.