Higuaini preferon kalimin në River Plate
Data e rikthimit në Itali ende nuk është fiksuar, por rrethi i ngushtë i Gonzalo Higuain, ka filtruar në media disa indicie se vullneti i futbollistit është të shkëpusë kontratën me Juventus, një vit para skadencës.
Bomberi argjentinas është kthyer në një mister për të ardhmen te torinezët pasi është joshur nga kalimi në muajt e verës te skuadra e River Plate.
Juve insiston në një zgjidhje më të mirë për financiat, duke i kërkuar agjentëve të lojtarit një huazim në një klub të madh europian, mundësi më e mirë për kampionët e Italisë, sesa ta mbajnë futbollistin deri në fundin e skadencës. Tani mbetet për t’u gjetur një rrugë e mesme.
Babai i vetë futbollistit ka dalë publikisht për të sqaruar se Gonzalo Higuain do të respektojë kontratën me bardhezinjtë, por të gjitha detajet tregojnë se asnjëra palë nuk e do këtë. Juve po monitoron edhe sulmuein gjerman Timo Werner të Lajpcigut, për ta marrë në merkaton e verës.