Hill: Ata njerëz që i kanë vendosë barrikadat t’i heqin sa më shpejt
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se është koha që të hiqen barrikadat në rrugët e veriut të Kosovës. Sipas tij, ato duhet të largohen nga njerëzit që i kanë vendosur.
Në një intervistë për mediumin serb “Nova”, Hill ka thënë se “e kupton frustrimin e serbëve të Kosovës”, por barrikadimet duhet hequr.
“Ne i kuptojmë pakënaqësitë e komunitetit serb në Kosovë. Ne e kuptojmë se këto pakënaqësi nuk janë mbledhur ditëve të fundit, por kanë qenë aty që disa kohë. Pas të gjithash, komuniteti serb ka qenë në Kosovë për shekuj dhe e kanë të drejtën të dinë se cka ka e ardhmja për ta”, ka thënë ambasadori amerikan.
“ Dhe, kjo është saktësisht për cka ne flasim, kur flasim për dialogun politik – të sigurohet se komuniteti serb jeton në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe ndihet mirë në shtëpinë e tij”.
Derisa në Prishtinë i kërkohet misionit të NATO-s t’i heq barrikadat, diplomati amerikan thotë se barrikadat duhet të largohen nga njerëzit që i kanë vendosur ato.
“Sa për barrikadat, ato janë qartësisht një problem. Nëse shihet prej këndvështrimit të komunitetit serb, ato janë një protestim për shuymë prej tyre. Dua të thëmë se ne e kemi kuptuar pse i kanë vendosur ato dhe i kemi dëgjuar ata, por unë mendoj se është koha që ata që i kanë vendosur këto barrikada, t’i heqin ato”, ka thënë Hill, duke shtuar se ai shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se sot, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që ish-polici Dejan Pantiq të cohet në arrest shtëpiak, ka biseduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Sipas Rakiqit, Vuciq ka thënë se “është mirë që barrikadat të hiqen”.