Hill kërkon shpjegime nga Serbia për marrëveshjen me Rusinë
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se pret shpjegime nga Serbia se çfarë përmban dokumenti i bashkëpunimit që ka nënshkruar me Rusinë gjatë punimeve të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar.
Gjatë një konference për media në hapjen e një forumi rajonal për qeverisje të mirë, Hill tha se “nuk është plotësisht e qartë” se çfarë përmban dokumenti, por se “në këtë moment askush nuk do të duhej të nënshkruante diçka me Rusinë”.
“Edhe ashtu askush nuk është duke nënshkruar diçka me Rusinë. E kemi të vështirë ta kuptojmë, por presim shpjegim”, tha Hill.
Ai shtoi se SHBA-ja mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe po ashtu mbështet heqjen dorë nga varësia e saj energjetike ndaj Rusisë “që bazohet në shantazh”, por kjo ndihmë do të jetë aq sa kërkon Serbia.
Ambasadori amerikan tha se SHBA-ja do që të dëgjojë se çfarë dëshiron Serbia me nënshkrimin e një marrëveshjeje me një shtet që “brutalisht sulmoi fqinjin e tij” dhe po kërcënon që të përdorë armë bërthamore.
Ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Rusisë, Nikolla Sellakoviq, dhe Sergei Lavrov, më 23 shtator nënshkruan në Nju Jork Planin e Konsultimeve mes dy ministrive për dy vjetët e ardhshme.
Sipas Serbisë, kjo marrëveshje u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.