Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija ShBA-Serbi
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë më 13 korrik se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk dëshirojnë të kenë ndonjë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, por se sanksionet e vendosura ndaj tij si individ nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.
“ShBA-ja studioi me kujdes Vulinin dhe aktivitetet e tij dhe arriti në përfundimin se ai nuk është dikush që duam në Amerikë. Në këtë mënyrë, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur ShBA-në”, u ka thënë Hill gazetarëve, gjatë një turneu në zonën arkeologjike Belo Bërdo.
Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e BIA-s, Aleksandër Vulin.
Sipas Thesarit, Vulini është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Ambasadori Hill ka thënë se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet me ShBA-në janë të mira.
“ShBA-ja dëshiron të ndihmojë Serbinë, e cila tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë atë në masën që dëshiron vetë Beogradi”, ka thënë Hill.