Hillary Clinton boton ese me kritika për Trumpin
Hillary Clinton, e cila ka humbur zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, përballë Donald Trumpit, ka thënë se demokracia amerikane është në krizë dhe fajësoi presidentin Trump për, siç ka theksuar, “korrupsion të jashtëzakonshëm” dhe “politika ndarëse” me “motive racore”.
Komentet e Clintonit, ish-sekretare e shtetit, të bëra në një ese, janë ndoshta të pashembullta në politikën amerikane.
As Trumpi, as Shtëpia e Bardhë nuk i komentuan ende.
Gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, Trumpi ka thënë se Clintoni duhet të hetohet për krime të ndryshme – diçka që është shumë e pazakontë për një fitues të zgjedhjeve.
Clintoni thënë se pas zgjedhjeve të vitit 2016, ajo u ka bërë thirrje mbështetësve që t’i japin Trumpit një shans për të udhëhequr.
“Shpresoja që frika ime për të ardhmen është e fryrë. Nuk ka qenë”, ka thënë Clintoni në esenë e publikuar në ueb-faqen e revistës “Atlantic”.
“Demokracia jonë tani është në krizë”, ka thënë ajo.
“Trumpi nuk pretendon t’i japë përparësi të mirës publike para interesave të tij personalë apo politikë. Ai nuk duket se e kupton se nëpunësit publikë duhet t’i shërbejnë publikut dhe jo e kundërta”, ka thënë Clintoni.
Komentet e saj vijnë në kohën kur kandidatët dhe partitë politike po bëjnë fushatë për zgjedhjet për Kongres, që do të mbahen në nëntor.
Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, ka nisur po ashtu të mbajë fjalime në mbështetje të kandidatëve demokratë dhe të dënojë politikat e Trumpit.
Është e pazakontë që ish-presidenti i ShBA-së të kritikojë publikisht një pasardhës.