Hillary Clinton përkrah Bidenin për president të SHBA-së
Ish-kandidatja për presidente në Amerikë, Hillary Clinton, ka përkrahur kandidatin e Partisë Demokratike, Joe Biden, në kandidaturën e tij për president të SHBA-së.
“Ky është moment kur na duhet një lider, një president sikur Joe Biden”, ka thënë ajo gjatë një ngjarjeje online bashkë me ish-zëvendëspresidentin.
Përkrahja shënon vazhdimin e serisë së profileve të larta në Partinë Demokratike që përkrahin Bidenin në garë me presidentin Donald Trump për zgjedhjet që pritet të mbahen më 3 nëntor sivjet.
Clintoni, që dikur ishte Sekretare e Shtetit, kishte humbur zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 pikërisht kundër Trumpit.
Bideni ishte zëvendëspresident i Barack Obamas, e Clintoni Sekretarja e parë e Shtetit në mandatin e tij. Të dy kishin konsideruar më herët në të njëjtën kohë kandidaturën për president, por Bideni kishte anuluar planet për shkak të vdekjes së të birit, Beau.
Bideni ka marrë edhe përkrahjen e Obamas.