Hilli flet për reciprocitetin: 1 shtatori, më shumë mundësi për përparim sesa për konflikt
Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi,është deklaruar për reciprocitetin për targat dhe dokumentet shtesë për qytetarët serbë, duke thënë se kjo është më shumë si një mundësi për përparim sesa për konflikt.
Hill po ashtu ka thënë se Serbia ka një qëndrim të ndryshëm nga partnerët e saj evropianë.
“Serbia ka një qëndrim të ndryshëm nga partnerët e saj evropianë, por mendoj se është e rëndësishme të përqendrohemi në çështjet për të cilat jemi dakord dhe të përpiqemi të ecim përpara së bashku”, ka thënë ambasadori amerikan në Serbi.
Ambasadori amerikan në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, ka thënë se përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit, të cilët kanë ndërmjetësues mjaft të mirë nga BE-ja në dialog, duhet të bëjnë më shumë për zgjidhjen e çështjeve kontestuese dhe shtoi se sinqerisht mendon se ka një mundësi për përparim real në dialog sesa për një konflikt të ri më 1 shtator.
Ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ditë më parë ka thënë se ShBA-ja e mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit.
Hovenieri ka thënë se këto dy masa janë në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe se të njëjtat ishin të koordinuara me ndërkombëtarët.