Hilli: Jam përkrahës i ‘Ballkanit të hapur’, personat e përfshirë në sulmin e Banjskës duhet të japin llogari

31 janar 2024 | 13:28

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vizituar të mërkurën Komunën e Preshevës, ku është pritur në takim kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi.

Në një konferencë për medie pas takimit, ambasadori Hill ka thënë se është përkrahës i madh i “Ballkanit të hapur”.

“Të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar, unë jam një përkrahës shumë i madh i ‘Ballkanit të hapur; dhe i konceptit të bashkëpunimit rajonal. Këtu në Preshevë, çështja e ‘Ballkanit të hapur’ nuk është vetëm një teori, pra ka të bëjë me zgjidhje të problemeve të qytetarëve”.

“Kështu që ne sot kemi diskutuar se si mund të bashkëpunojmë të ecim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Ajo çka është më e rëndësishme janë investimet dhe zhvillimi ekonomik i rajonit. Kjo që të arrihet duhet të fillojë nga niveli i arsimit e tutje”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka theksuar se personat e përfshirë në këtë sulm duhet të japin llogari.

“Mendoj se ka një proces ligjor, por ne mendojmë se duhet të ketë llogaridhënie. Mund t’ju siguroj se për të gjitha ngjarjet rreth Banjskës, ShBA-ja e kanë pasur një qëndrim shumë të qartë”, është shprehur ai.

I pyetur rreth rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës është ndaluar përdorimi i dinarit serb në territorin e Kosovës, ai ka thënë se e mbështetë plotësisht deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quintit, ku i bëhet thirrje BQK-së që ta pezullojë vendimin.

“Nuk do të ju befasoj se unë e përkrahi fuqishëm deklaratën e ambasadave të vendeve të Quint-it. Kështu që dialogu është platforma ku mund të zgjidhen problemet, edhe ajo sa i përket transaksioneve. Për çështjet e të drejtave fundamentale, duhet të ketë diskutime në mes të palëve”, është shprehur ambasadori Hill.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diplomati amerikan ka theksuar se kjo është rruga e vetme për të normalizuar raportet në mes dy vendeve.

“Unë mendoj se rruga për marrëdhënie më të mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë është përmes dialogut. Elementet për zgjidhje janë në tavolinë, është shumë e rëndësishme që të gjitha palët duhet të tregojnë respektin më të madh për njerëzit që i udhëheqin dhe për ndërmjetësuesit e dialogut”.

“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut, në mënyrë që ky dialog t’i hapë rrugën rajonit drejt BE-së sepse ky rajon vendin e ka në BE. Negociatat duhet të përfundojnë me një sukses ku të gjitha çështjet që janë në tavolinë duhet të respektohen”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ndërsa për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hill ka thënë se ai duhet të jetë i bazuar në një model evropian.

“Nëse unë do të mendoja se do të kishte një zgjidhje më të mirë se Asociacioni, atëherë unë do ta propozoja, por mendoj se nuk ka një zgjidhje më të mirë”, ka shtuar ai.

Kurse kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se ambasadori Hill është një mik i shqiptarëve dhe se është i kënaqur për takimin që ka zhvilluar me të.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Trepça e ka prezantuar transferin e ri Brandon Edwards.…