Hilli për protestat në Beograd: Të respektohet vullneti i popullit

26 dhjetor 2023 | 08:19

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka reaguar pas protestës së dhunshme të opozitës të dielën para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në Beograd.

“Në orët dhe ditët në vijim, liderët e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet të kujtojnë: Legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe nga gatishmëria e të gjitha palëve, fituese apo humbëse, për të respektuar vullnetin e popullit të shprehur në kutinë e votimit”, shkroi ai në platformën X.

Diplomati amerikan ka potencuar po ashtu se dhuna dhe vandalizmi ndaj institucioneve shtetërore nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, derisa ka shtuar se “duke qenë se policia ruan rendin publik, ajo duhet të bëjë të pamundurën për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe të drejtat civile”.

“Kam besim të plotë se Serbia do t’i kalojë këto sfida me demokracinë e saj të forcuar. Të gjithë qytetarët e Serbisë kanë të drejtë të dëgjohen për të shprehur pikëpamjet e tyre politike në mënyrë paqësore dhe pa përdorur dhunë”, theksoi Hill.

Ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, një ditë pas protestës së dhunshme në Beograd ku më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” në kryeqytetin serb.

“Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASh-it për Zërin e Amerikës.

Në protestën e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” që është zhvilluar të dielën, qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës pritet që sot të dorëzojë një…