Hipokrizia e luftës në paqe përballë luftës për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës
Fitim RIFATI
Lufta e shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar gjatë shekujve XIX-XX, ka nxjerrë në pah personalitete të shquara, që me idealin dhe sakrificën e tyre kanë zënë vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Përgjatë këtyre shekujve, pothuajse në të gjitha fazat më të rëndësishme, që e kanë karakterizuar organizimin e luftës së armatosur për çlirim, janë paraqitur sfida serioze, të cilat kanë reflektuar në rezultatet e aksioneve dhe organizimeve ushtarake. Ato përfaqësojnë epoka e histori dhembjeje, lavdie e krenarie kombëtare. Në Kosovë, në periudha lufte e paqeje, personalitetet kryesore kombëtare janë përballur me fushata eliminimi fizik, politik dhe shoqëror, të orkestruara nga agjentura e qarqe antishqiptare e antikombëtare.
Pushtimi, aneksimi dhe copëtimi i trevave shqiptare në shekullin XIX, kulmoi me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila në programin e saj kishte për synim mbrojtjen e tërësisë tokësore të viseve etnike shqiptare, afirmimin dhe realizimin e aspiratave politike e kombëtare. U shquan për angazhim maksimal Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi e shumë patriotë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare. Përballë tre fronteve të luftës: fqinjëve serbë, malazezë e grekë; agresivitetit të Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit përçoi një mesazh brenda e jashtë viseve shqiptare mbi një fazë ndërgjegjësimi politik e kombëtar të shqiptarëve. Krerët kryesorë të saj u persekutuan, u internuan, u burgosën ose u ekzekutuan. Haxhi Zeka, në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX, për arsye se po vepronte politikisht me platformën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u vra me atentat. Së këndejmi, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Isa Boletini u vra, sepse ishte aktiv dhe dëshironte çlirimin e Kosovës dhe një Shqipëri politike, të bashkuar me të gjitha trevat etnike të saj. Njësoj, për këto arsye u vranë Bajram Curri e Hasan Prishtina. Veç tyre, shumë të tjerë u ekzekutuan, u burgosën, u internuan ose u dëbuan nga Kosova.
Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve nuk u ndal dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u shua. Programet e kolonizimit, terrorit, spastrimit etnik, dëbimit me dhunë, asimilimit, vrasjeve dhe gjenocidit serbo-jugosllav në Kosovë, nuk arritën të shkatërronin fizionominë kombëtare e autoktone shqiptare. Aneksimi i dhunshëm i Kosovës nga ana e Serbisë më 1945 ngjalli lëvizje refraktare e të pandërprerë në Kosovë. Si përmes grupeve e organizatave të fshehta me karakter çlirimtar kombëtar, si përmes protestave e demonstratave popullore, si përmes veprimtarisë aktive politike, kulturore, shkencore e arsimore, u provua një lëvizje organike kombëtare shqiptare, e cila nuk pajtohej me regjimin hegjemonist serbo-jugosllav dhe politikën shoviniste të Serbisë ndaj shqiptarëve. Në këtë periudhë, nuk janë të rastësishme vrasjet ose eliminimet fizike të personaliteteve të shquara të qëndresës shqiptare e të bashkimit kombëtar, si: Aqif Blytës, Shaban Polluzhës, Muharrem Fejzës, Sylë Zarbincës, Gjon Serreçit, Ajet Gërgurit, Idriz Gjilanit, Fazli Grajçevcit, Tahir Mehës, Vehbi Ibrahimit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Zija Shemsiut, Ali Ajetit, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e shumë veprimtarëve të tjerë. Megjithëkëtë, presionet, persekutimet dhe dënimet e formave të ndryshme, përmes burgosjes e ekzekutimeve ndaj figurave patriotike të Kosovës brenda e jashtë saj, nuk e tundën idealin e lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar, i cili vazhdoi të mbetet aspiratë e forcave progresiste shqiptare me perspektivë kombëtare.
Në këtë kontekst, në dekadën e fundit të shekullit XX, vend meritor zë paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që kishte për synim të fundit çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. UÇK lindi dhe u formua si ushtri e popullit nga gjiri i forcave atdhetare, politike e përparimtare shqiptare, brenda e jashtë Kosovës. Ajo ishte forcë e organizuar ushtarako-politike me karakter dhe fizionomi mbarëkombëtare, që për qëllim pati çlirimin e Kosovës nga pushteti arbitrar, ushtarako-policor e violent serbo-jugosllav.
Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha më demokratike të botës, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, siç ishin ShBA-të dhe aleatët e saj evropian. UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë provuan para faktorit ndërkombëtar se populli shqiptar është i gatshëm të mbrojë trungun e tij dhe të sakrifikojë gjithçka vetëm të frymojë dhe zhvillohet i lirë në territorin e vet. Në këtë kontekst, shembulli më konkret, ndër rastet fenomen në historinë më të re të njerëzimit, ishte lufta dhe rënia heroike e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz, ndërsa në skenën e gjenocidit me masakrën e Reçakut dhe shumë masakra të tjera, u thye teza se shqiptarët do të mund të ekzistonin dhe jetonin të bashkuar dhe të dakorduar me aparatin shtetëror serbo-jugosllav, i cili zbatonte gjenocid në të gjitha fushat e jetës kundrejt popullit shqiptar. Ndonëse ishte e vetmja forcë që mbrojti dhe u kujdes për popullsinë e pambrojtur, siç shprehej në atë kohë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, “NATO dhe UÇK-ja bënë që Millosheviqi të nënshtrohet”. Prandaj, lufta e domosdoshme dhe e drejtë e UÇK-së, si dhe çlirimi i Kosovës, kanë paraqitur një të vërtetë të madhe e vlerë njerëzore në politikën botërore se atdhedashuria shqiptare nuk paraqet asgjë shoviniste, ekspansioniste a ksenofobe ndaj popujve e kombeve të tjera, por synon të afirmojë vlera krahas popujve dhe kombeve të përparuara.
Rrjedhimisht, sot, gjykimi i luftës çlirimtare shqiptare nga “drejtësia ndërkombëtare”, përbën një akt paradoksal, ndërsa festimi i këtij akti në mjedise qarqesh politike e shoqërore shqiptare është skandal e turp kombëtar. Marrë për bazë historikun dhe kronologjinë e luftës çlirimtare në Kosovë, mund të supozohet se, në përputhje me standardet dhe mekanizmat modernë, po bëhet një përpjekje eliminimi e neutralizimi politik të simboleve të luftës çlirimtare dhe të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, midis të tjerash kemi të bëjmë me një hipokrizi koniunkturale të orkestrës politike e jopolitike,të luftës tradicionale në paqe përballë konformizmit dhe luftës për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Mirëpo, historia do dëshmojë se përpjekjet e brendshme dhe të jashtme për demonizimin, asgjësimin ose neutralizimin e luftëtarëve të lirisë dhe të shtetësisë së Republikës së Kosovës, janë dhe do të mbesin gjithnjë anakronike.
Si përfundim, denbabaden, politika gjenocidale serbe në Kosovë kishte për synim shkatërrimin e përmbajtjes dhe karakterit shqiptar. Prandaj, në të vërtetë, shqiptarët nuk kanë përjetuar periudha të mira nga Serbia dhe aleatët e saj, nuk përjetojnë aktualisht dhe është e pabesueshme se do të mund të përjetojnë në të ardhmen.