Hipokrizia e VV-së | Anëtarët e saj në KQZ e votuan Rregulloren për Votim Jashtë Kosovës, tani ankohen në PZAP pasi KQZ e zbatoi atë
Vetëm dy ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe numrin e votuesve në secilën prej tyre, partia në pushtet, Lëvizja Vetëevendosje është ankuar kundër këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Vetëvendosje ka kërkuar nga PZAP-i që ta shpallë të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, “duke e hequr kufizimin e numrit maksimal të votuesve në qendrat e votimit jashtë Kosovës dhe të nxjerrë vendim meritor, të arsyetuar në lidhje me këtë çështje në bashkëpunim me MPJD”.
Por, Gazeta Blic ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së të mbajtur me 21.08.2024 ku është miratuar Rregullorja Nr. 17/2024 Regjistrimi dhe Votimi Jashtë Kosovës.
Kjo Rregullore, sipas procesverbalit të KQZ-së është miratuar me të gjitha votat për të anëtarëve prezentë në momentin e votimit, pra 10 anëtarëve. Në mesin e 10 anëatrëve që kanë votuar për, janë edhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Rregullorja e KQZ-së për Votim Jashtë Kosovës parasheh që numri maksimal i votuesve për secilën përfaqësi diplomatike të caktuar si qendër votimi të përcaktohet nga KQZ që kjo të bëhet në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim. GazetaBlic