Hipokrizia në formë të ftesës për opozitën e dhunuar nga pozita dhe januse presidentja!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Bisedime për mbetjet mortore të shtetësisë së Kosovës: Draft-statuti për legalizimin e autonomisë politike dhe territoriale serbe në Kosovë iu dorëzua Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, sigurisht edhe Vojsa Osmanit, presidente personale e KM të Kosovës, Albin Kurti. Mund ta ketë pranuar edhe shërbyesi civil dhe privat i KM të Kosovës që aktualisht e luan rolin e kryetarit të Kuvendit. Opozita deklaronte se nuk e ka pranuar atë draft se… po ta pranonte, do ta bënte namin. Në takim me burokratët e BE-së, përfaqësusit e opozitës deklaruan se vetëm iu është treguar drafti por jo edhe dorëzuar apo se iu ishte dhënë mundësia për ta lexuar. I vetmi ishte Ramushi që deklaroi se në atë takim e paska lexuar draftin… mbase kur ka shkuar në nevojtore për t’u liruar nga tretjet fiziologjike. Deputetët e partisë në pushtet, ata të LVV-së dhe këmbalecët e “Guxo” deklaruan se as ata nuk e kanë lexuar draftin por se janë të sigurt se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe më i mirë se ai i Isës dhe Hashimit. Te Isa dhe Hashimi nuk kishte as autonomi substanciale, as arbitrazh e as shtet të kishës serbe në Kosovë. Ishte shumë e pritshme që ambasadorët dolën në mbrojtje të përputhshmërisë së Draftit me Kushtetutën e Kosovës në kohën kur njohësi më i madh i Kushtetutës së Kosovës, Enver Hasni e thotë të kundërtën, pikërisht ky draft e shkatërron shtetin unitar të Kosovës duke e federalizuar atë dhe duke e përjashtuar Kushtetutën e Kosovës nga ky proces për faktin se po krijohet një kushtetutë e re për autonominë substanciale të serbëve në Kosovë, Kushtetuta Materiale. Një rol shumë agresiv dhe të pandershëm e ka marrë mbi vete ambasadori Rohde i cili është edhe më ekstrem se vet shefi i Zyrës për Kosovën, gospodin Petkoviq. Ambasadori Rohde, po e shkel rënd Traktatin e Vjenës që e rregullon fushëveprimin e personelit diplomatik duke ndërhyrë në çdo proces në Kosovë. Po të ishte në Serbi, moti do t’i caktoheshin 24 orë, kohë e mjaftueshme për t’i mbledhur plaçkat dhe rregëzinat për t’u kthyer në Gjemani. Edhe ambasadorët Bosch dhe Delawie ndryshe flisnin sa ishin ambasadorë, krejt ndryshe flasin sot. Ambasadori Rohde po e mirëpërdorë (për nevoja personale dhe të shtetit që e përfaqëson e sidomos për nevoja të Serbisë llaskucërinë e politikanëve të tashëm në Kosovë). Ky është mandati i tij me të cilin është ngarkuar aktualisht. Ky draft-statut mund të jetë 100 për qind në përputhje me Kushtetutën e Gjermanisë por në asnjë mënyrë me Kushtetutën e Kosovës. Po Rohde, në mesin e të kastruarve nga përgjegjësia shtetërore dhe kombëtare nuk e ka vështirë ta luaj rolin e Don Zhuanit. Nëse ky draft-statut pranohet si i tillë (Albini e ka pranuar) Kosova do t’i ketë vetëm dy mundësi, e para të hyjë në një raport federal apo konfederal me Serbinë dhe, e dyta, me një ndryshim të kufijve në Ballkan, të bashkohet me Shqipërinë. Mundësi të tretë nuk ka.
Januse presidentja dërgon ftesa për opozitën: Vojsa Osmani u bë presidente duke fituar votat e deputetëve të Listes Serbe që ishin përcaktuese. Po të mos ishin ato vota, as që do të ishte cucur në postin e presidentes. Sipas Kushtetutës së Kosovës presidenti /ja ka rol unifikues ndërsa kjo unifikimin e ka bërë vetëm duke iu nënshtruar pa asnjë kusht kryeministrit të Kosovës. Ndaj opozitës ka pasur qëndrim jashtëzakonisht urrejtës përjashtuar këtu LDK-në të cilën e ruan si strehë nga breshëri që eventualisht mund ta dëmtojë gjatë ecjes rrugës presidenciale. Kishte dhe ka urrejtje patologjike ndaj pengjeve që po mbahen në Burgun e Hagës, pararendës që ia mundësuan të jetojë e lirë, të jetojë në një shtet të lirë dhe, për fat të keq të bëhet edhe presidente, pa e dhënë as edhe një kontribut të vetëm, personalisht dhe familjarisht. Me Albinin u bënë Boni dhe Klajdi i politikës që po e gërryejnë shtetin dhe shtetësinë e Kosovës përmes lëshimeve e që po shpërfaqen, deri tash fshehtas në formën e draft-statutit. Thyen duar, këmbë dhe dhëmbë për ta kapur Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor, Policinë e Kosovës, AKI-në, Mendermethënë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, Diplomacinë dhe segmenetet tjera shtetërore. Në shumicën e rasteve ia dolën. Bënë biseda të fshehta rezultatet e të cilave po dalin në formën dhe përmbajtjen e draft-statutit. Kurrë dhe në asnjë rast nuk i është drejtuar qytetarëve të Kosovës për përmbajtjen e këtyre bisedimeve duke i përjashtuar nga vendimmarrja për fatin dhe ardhmërinë e tyre. Duke shfrytëzuar resurset shtetërore filloi ta mësojë gjeografinë, duke vizituar shtete dhe vende ekzotike për të cilat as që e ka ditur se ekzistojnë. Personalisht kam qenë për ndryshim duke e përkrahur për presidente. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk kam besuar se për moshën që e ka ta shpërfaq një urrejtje patologjike ndaj themeluesve, bartësve dhe formuesve të shtetit të Kosovës që tash po mbahen si pengje në Burgun e Hagës për të cilët kurrë nuk e ka treguar asnjë interesim. Përveç se është angazhuar që t’ua bëjë situatën më të rëndë. U bë pjesë e përdhunimeve sadiste të opozitës përmes injorimit të saj duke treguar interes vetëm kur ka pasur interes personal të saj dhe kur është dashur të paraqitet si sozi e Albinit. Është e padiskutueshme që Albini këtë e sjell në gisht sikur që e sjell LVV-ja dhe një pjesë të opozitës. Tash, po kërkon të takohet me opozitën që të ndërtohet një konsensus për pajtim me Draft statutin që siguron autonomi substanciale ndonëse ky draft-statut është pranuar nga Albin Kurti e që nënkupton se refleksivisht është pranuar edhe nga Vojsa Osmani. Kryetarin e Kuvendit nuk e pyet kush as kah e ka dhija bishtin e lëre më për ndonjë çështje politike. Vojsa Osmani, me sjellje emocionalisht të papërpunuar dhe të papërfunduar e ka sakatosur edhe stafin e saj e lëre më që do ta kursejë opozitën. Vjosa Osmani nuk ka asnjë të drejtë të thërras opozitën për konsultim për një draft që është pranuar që më parë. Është ky veprim janusian, dyfytyrësh, me një fjalë. Së pari, nuk ia kërkon Kushtetuta dhe, së dyti është kjo punë e Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej për një dokument të pranuar që më parë. Nuk e ka Vojsa Osmani sikletin për veten e saj por do t’i sigurojë Albinit një strategji dalëse nga kjo situatë, të blejë kohën dhe ta racionalizojë helmin (m…) që do ta hanë politikanët dhe që do ta hamë edhe ne, qytetarët e Kosovës për faktin që nuk po i kundërshtojmë por që fatin e vendit ua kemi lënë në duar projugosllavëve dhe proserbëve në me krye patriotin e madh jugosllav Jeton Qurroin dhe hajnat e atyre që kinse e monitorojnë arsimin duke e sulmuar një analfabete, si ministren aksidentale aktuale. Për ta përkrahur draft- statutin janë mobilizuar edhe sekseri i Qurroit, ambasador në Bruksel që u shqua si lehës i partisë në pushtet me lehje prej baritoni deri sa partia e mori pushtetin. Po angazhohen gazetarë që dikur, jo fort moti shkruanin se propozimi që e ka pranuar Albini është një arkmort për Kosovën ndërsa tani shkruajnë se nuk ka më të mirë. Ky farë sekseri dhe lehës me zë prej baritoni, me urdhër të një injoranteje që merr guxim ta quaj veten dhe prezentohet si ministre për punë të jashtme e angazhoi një karikaturë si këshilltar për përfaqësim të karikaturave të pushtetit për një rrogë modeste prej 7500 euro në muaj plus shpenzimet modeste për bileta aeroplani me klasë biznesi apo detyrimi që të bëjnë gjumin e natës në bujtina si ësht hoteli Ric apo Valdorf Astoria. Të poshtër, skajshmërisht të poshtër. Në kontekst të ndërtimit të një infrastrukture për moskundërshtim të draft-statutit është edhe ftesa për takim me opozitën. Po, opozita, çka do të bëjë opozita?
LDK-ja është deklaruar se ftesa është e vonuar ndonëse tërë kohën ka qenë në anën e presidentes Osmani duke komunikuar me të dhe duke u këshilluar për: “çështjet me rëndësi të veçantë për shtetin, kombin dhe shokun Albin ..” Në të kundërtën do ta dërgonte këtë presidente në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet e shumta që i ka bërë pas së cilave, pa asnjë dyshim do të gatuante petulla në njërën nga shtëpitë që i ka. LDK-ja, bashkë me Avokatin e Popullit kanë qenë “Engjulli mbrojtës dhe rrufepritës “i Vjosa Osmanit nga rrufetë e Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja nuk ka asnjë motiv ta takojë presidenten Osmani përveç nëse kjo nuk shoqërohet nga badigardët e fuqishëm ndërkombëtar, të veshur me petkun e ambasadorit. AAK-ja besoj se shkon, është parti shtetformuese në të cilën absolutisht interesat e përgjithshme mbizotërojnë mbi atro personale. Madje, në AAK-ja nuk mund ta gjeni as një të vetëm që udhëhiqet nga interesat personale. Në Kosovë, për fat të keq nuk ka opozitë aktive ndonëse janë njëqindmijë aryse për një opozitarizëm më aktiv. LDK-ja, po bënë opozitë oportuniste, opozitë përshtatëse duke ia bërë me sy Albinit, përmes syzeve të Vojsa Osmanit se, ja ku jemi, mund të bëhemi bashkë në funeralin e varrimit të shtetit të Kosovës përkatësisht të bëhen pjesë e koalicionit. AAK-ja ka pak vota që e tundojnë Albinin që t’ua shkelë pak syrin ndërsa edhe “meshqit që dikur protestonin, duket se përfundimisht janë lodhur”. PDK-ja ka pasur mundësi të bëjë opozitë shumë më të fuqishme por nuk e bëri. Pse, e kam të qartë unë por jo duket edhe këta të PDK-së. PDK-në e shpëtoi me fytyrë bërja e opozitarizmit kushtetues sepse e pamundësoi dhe, në disa raste sikur që e ngadalësoi në disa raste tjera kapjen absolute të institucioneve dhe të shtetit nga “kmerët e kuq, tash të aristokratizuar të LVV-së”. Po të ndodhte kështu, të gjithë do të duhej të prenë dhe qethin flokët sikur që e ka shoku Albin. Problem i madh nuk do të ishte për ata që kanë flokë por për ata që kanë mungesë të flokëve.
Mungesa e opozitarizmit aktiv në Kosovë do të prodhojë dy situata, pas liberalizimit të vizave një numër i konsiderueshëm do të largohet jashtë Kosovës kurse ata të vendosur të qëndrojnë në Kosovë do të zgjedhin për veprim një mundësi të dhunshme. Kosova, më lehtë do të destabilizohet nga brenda se që do të destabilizohet nga jashtë. Zgjedhje të parakohshme do të ketë vetëm në rast se LVV-ja dhe LDK-ja bëjnë një marrëveshje të fshehtë për koalicion të ardhshëm e jo shkaku i përgjegjësisë për pranim të draft-statutit.
A po zbatohet marrëveshja? Ar-Miku i përbetuar i Albin Kurtit, Miroslav Lajçak deklaroi se ka përparime të ndjeshme kohëve të fundit në zbatimin e marrëveshjes. Duket se Besnik rrenci dhe injoranti paska pasur angazhim (dhe honorare) shtesë për këtë. Marrëveshja po zbatohet pahetueshëm dhe larg syve të opinionit për ata që kanë problem me dioptri politike apo janë të verbër pas liderit si këta militantët e LVV-së. Pranimi i tabelave, nisma për shkarkimin e patriotit të madh Atiqit nga kryetari i Mitrovicës së Zajebnicës dhe Oso Kukës janë tregues bindës dhe dëshmi për ate të Lajçakut u thënë mediave. Pastaj, ju kujtohet se Albin Kurti ka kërkuar sekuencionimin e zbatimit të marrëveshjes që do të thotë: “ta hashë ate që nuk hahet me lugë të ilaçeve dhe jo me garuzhdë..”. Të gjitha këto që serbët po i pranojnë do të jenë pjesë e kompetencave të Bashkësisë së komunave serbe e jo se e pranojnë autoritetin e KM të Kosovës, Albin Kurtit apo shtetin e Kosovës. Pa lejen e Vuçiqit asgjë nuk do të bënin ndërsa Vuçiqi e di se çka do të fitojë me draft-statut. Nëse Enver Hasani, si autoritet kombëtar dhe ndërkombëtar për çështje të Kushtetutës e ka dhënë mendimin profesional, tregimi ka marrë fund. Rohde allamani mund të vendoset në krye të karavanit të injorantëve vendorë të kushtetutës, të shitur pëpr një grush parash por jo edhe përballë autoritetit të Enver Hasanit. Po ta kuptonte këtë Albin Kurti, ndryshe do t’i kishte punët. Më mirë, pa asnjë dyshim!