![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/hisen-berisha.jpg)
Hisen Berisha: Po ndodh vjedhja e votave për kandidatët, madje hapur, para kamerave
Kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të dalë në terren dhe të angazhojë hetues të specializuar në çdo nivel, për të konstatuar komprometimin e procesit zgjedhor përmes krimeve zgjedhore.
“Hetimi duhet të përfshijë abuzimin me suficitin buxhetor të grumbulluar ndër vite, përdorimin e fondeve të dyshimta si ai i pandemisë dhe fondeve për mbrojtje, të cilat mund të jenë shfrytëzuar për logjistikë zgjedhore, blerje votash, financimin e fluturimeve nga mërgata dhe pagesën e biletave për votuesit jashtë vendit”, ka shkruar Hisen Berisha në Facebook.
Postimi i plotë i Hisen Berishës:
Krimet zgjedhore, që po lexohen tashmë në proces, duhet ta vënë në veprim Prokurorin e PS, z. Isufaj.
Prokuroria Speciale duhet të dalë në terren dhe të angazhojë hetues të specializuar në çdo nivel për të konstatuar komprometimin e procesit zgjedhor përmes krimeve zgjedhore.
Hetimi duhet të përfshijë abuzimin me suficitin buxhetor të grumbulluar ndër vite, përdorimin e fondeve të dyshimta si ai i pandemisë dhe fondeve për mbrojtje, të cilat mund të jenë shfrytëzuar për logjistikë zgjedhore, blerje votash, financimin e fluturimeve nga mërgata dhe pagesën e biletave për votuesit jashtë vendit.
Prej nga këto mjete?
Po ashtu, duhet të hetohet manipulimi me softuerin e numërimit, i cili nuk është një sistem apo teknologji nga Gjermania, siç u pretendua fillimisht, por një softuer i krijuar nga individë të korruptuar, të lidhur politikisht me qeverinë Kurti.
Aktualisht po ndodh manipulimi mekanik dhe vjedhja e votave për kandidatët, madje hapur, para kamerave.
Për më tepër, në Qendrat Komunale të Numërimit të Votave për kandidatët nëpër komuna, po zbatohet një procedurë dhe praktikë e paqartë që ngre dyshime.
Fatkeqësisht, ajo që po venerohet në terren është alarmante dhe kërkon një reagim urgjent.
Që në fillim të numërimit është ngritur alarmi për vonesën e pajustifikuar të fillimit të numërimit, problemet teknike në softuerin zgjedhor, që ka shkaktuar paralizimin e procesit dhe pasigurinë e qytetarëve për besueshmërinë e zgjedhjeve, si dhe mosaftësimi adekuat i komisionerëve dhe stafit të numërimit. Vazhdimisht është dashur ndërhyrje për të sqaruar rregullat e KQZ-së, çka e bën situatën të papranueshme, sepse sfidon besimin publik në institucione dhe rrezikon destabilizimin e procesit demokratik.
Kjo përgjegjësi për dështim bie drejtpërdrejt mbi KQZ-në.
Prandaj, KQZ-ja, e mbikëqyrur direkt nga ekspertë të Prokurorisë Speciale, duhet të ketë një exit strategy për të zgjidhur menjëherë problemet teknike që kanë bllokuar sistemin.
Zërat për numërim mekanik janë tendenca për kthim në doktrinën e vjetër: “qytetarët votojnë, komisionerët caktojnë kush bëhet deputet”, sipas diktatit të të fortëve nëpër parti politike apo nga parapolitika, e kjo ka qenë burim i destabilitetit politik permanent.
Zgjidhja për situatën aktuale të numërimit të votës është që ai të bëhet me skanim të fletëvotimeve. Numërimi duke i komentuar numrat dhe regjistruar mekanikisht në kompjuter po vërehet se po bëhet në mënyrë manipulative.
Kurse zgjidhja afatgjatë apo e përhershme është votimi elektronik apo dixhital, ku vota regjistrohet dhe numërohet drejtpërdrejt në mënyrë dixhitale, çka është dashur të gjejë vend në reformën zgjedhore gjysmake që është bërë gjatë kësaj qeverisjeje.
Në çdo aspekt, ky proces është i manipuluar dhe sistemi është i komprometuar, ndaj është i domosdoshëm një hetim profesional.
Manipulimi i procesit zgjedhor kërkon hetim të menjëhershëm.
Gjendja e krijuar duhet ta vërë në veprim mekanizmin ligjor të llogaridhënies e përgjegjësisë deri në penalizimin e institucioneve përgjegjëse.