Hisen Berisha zotohet për përkrahje për komunitetin me shkop të bardhë
Kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha, ka takuar anëtarët e komunitetit me shkop të bardhë në Gjakovë, një grup që për dekada ka përballuar sfida të mëdha, shpeshherë të lënë në harresë nga institucionet.
Ai ka treguar se me ta ka biseduar hapur për realitetin e tyre, për diskriminimin që ende ndjejnë në tregun e punës, për ligjet që mbeten vetëm në letër, për mungesën e korrektësisë në shpalljen e konkurseve dhe për nivelin e ulët të të ardhurave që vështirëson një jetë me dinjitet.
“Shpresa e tyre lidhet me ndryshimin, me një qasje të re që i trajton ata si qytetarë të barabartë dhe jo si një kategori në periferi të vëmendjes shtetërore. Ata presin një angazhim konkret nga programi qeverisës i PDK-së dhe nga z. Bedri Hamza, që zëri i tyre të dëgjohet dhe të përkthehet në politika të drejta. Për mua, ky takim nuk ishte thjesht një dëgjim, por një zotim”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.