Histeria inatçore e përçarëse ndërvëllazërore, nuk është politikë
Shkruan: Halil Selimi
E dhembshme po, por e rrezikshme mos qoftë!
Histeria e politikëbërjes aktuale përmes Serbisë, kundër Shqipërisë, është më shumë se dhembje shpirti, kombtarisht! Është edhe e rrezikshme, fatkeqësisht!
Ndërsa prezenca e Goran Bregoviqit në festën e birrës në Korçë, është vërtetë e dhemshme për patriotët shqiptarë, kudojanë! Por, është edhe dëshirë delirante e pakontrolluar e fansave të tij të shumtë ndërshqiptar! Megjithatë, nuk është diçka e rrezikshme, garant! Le që vazhdon të dëgjohet fshehtas edhe në Kosovë, nga të gjithë ata/ato që janë rritur me plazma të Serbisë dhe, në vend të gjyshes, ju kanë kënduar Ceca, Dragana, Brena, Çoliqi, Bregoviqi e shumë të tjerë, për rritje të mbarë jugosllavisht, gjithësesi!
Nuk dëgjova as lexova dikë ndër ne, përveç Fatmirit, me idenë e pritjes me domate për Bregoviqin dhe Nojzit në Shqipëri, që kërkon të organizojë bojkotimin e Bregoviçit! Ide për t’u përshëndetur dhe mbështetur edhe politikisht, sidomos nga Kosova! Por jo! Çuditërisht, dëgjohen zëra që kërkojnë deri dhe bojkotimin e plazheve tona të bukura! Mbase për ta dëmtuar Shqipërinë tonë! Por, edhe për mos t’i penguar serbët që kanë filluar ta frekuentojnë bregdetin shqiptat?! Edhe këtë mund ta mendojnë, por vetëm gjakprishurit shqiptarë!!
Janë ngjallur vampirisht ideologët nostalgjikë të jugoserbisë, apo serbosllavisë, të tipit surroist! Kanë sjellur, së fundmi, në politikëbërjen e Kosovës deri edhe frymën e një identitet të ‘ri’, UJDI-stë të vjeshtës së vitit 1989, shpëtimtarë në tentativë të ish-Jugosllavisë! Dhe, po bëjnë punën e djallit, siç propagandonin dikur teorintë horvatiane, se po të hapte Jugosllavia kufijtë me Shqipërinë, Shqipëria do t’i bashkohej Jugosllavisë dhe jo Kosova Shqipërisë!
Edhe sot e kanë ringjallur strategjinë anti-Shqipëri, përmes Serbisë! Thikën e vëllapërçarjes ndërshqiptare dhe vëllavrasjes politike brendakombëtare! E kanë më shumë nga xhelozia politike se mos po ua merr Shqipëria Serbinë, meqë Kosovën, nën ndikimin e edukimit politik jugosllavist, mund ta shohin edhe si ‘djep’ të Serbisë, mjerisht! Ani se edhe djepat na i ka djegur, serbi gjenocidist dhe aroma e lufrës kundërmon shkrumb e hi e kullon gjak akoma, tmerrësisht! Por këto nuk i shohin as nuk i ndjejnë ata/ato që janë rriturit në djepin jugosllavizmit titist?!
Ja dhe pak kujtesë e mjerimit migjenian, që, mjerisht, i shkon aq shumë edhe mjerimit politik, sot:
“Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.
Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.”
Dhe në fund, po e mbylli këtë shqetësim timin, më shumë se politik, me një shqetësim popullor të trishtë:
Më ruaj zot nga vëllau, se nga shkjau ruhem vet!