Histori që po ikën…

28 prill 2025 | 20:36

Shkruan: Hanife Salihu

Historia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një ndër faqet më të ndritshme të kombit tonë, por edhe një ndër më të rrezikuarat për t’u harruar. Edhe pse jemi ende dëshmitarë të asaj kohe, edhe pse shumë prej nesh i kanë jetuar ato ditë, koha po bën të vetën. Ditë pas dite, luftëtarët e UÇK-së po largohen nga kjo botë, shpesh pa lënë pas rrëfimet e tyre, pa i treguar betejat që i kanë përjetuar, pa lënë gjurmë të shkruara për sakrificat që kanë bërë.
Po e jetojmë historinë, por njëkohësisht po e humbim. Është para syve tanë, por ngadalë e sigurt po na largohet. Çdo herë që një ish-ushtar i UÇK-së ndërron jetë pa rrëfyer historinë e tij, një kapitull i pa-shkruar i lirisë sonë shuhet përgjithmonë. Dhe kjo është tragjike, sepse historia që nuk shkruhet, historia që nuk ruhet, rrezikohet të zhduket.
Në këtë boshllëk të kujtesës sonë mjerisht po futet një përpjekje e rrezikshme për rishkrimin e historisë nga ata që dikur ishin agresorë. Serbia, përmes institucioneve të saj shtetërore, mjeteve të propagandës dhe diplomacisë së heshtur, po e kamuflon të kaluarën duke e shtrembëruar të vërtetën. Po paraqet vetën si viktimë dhe po përpiqet të bindë opinionin ndërkombëtar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një organizatë terroriste. E ne, shqiptarët, që kemi realitetin që flet me fakte që UÇK -ja ishte një lëvizje të organizuar, e drejtë dhe legjitime për çlirim kombëtar, po luftojmë mes veti për poste!?
Serbia synon ta zhvendosë fajin, duke e mohuar rolin e saj si agresore dhe duke i manipuluar faktet historike. Nëpër dokumentarë, libra, konferenca e fushata ndërkombëtare, përpiqet ta paraqesë ndërhyrjen e NATO-s si një gabim historik, duke e paraqitur atë si një aleancë që mbështeti terrorizmin. Kjo është një padrejtësi e rëndë, një përpjekje për të shlyer nga kujtesa kolektive ato që ndodhën në Reçak, në Mejë, në Poklek, në Krushë, në Gjakovë – dhe në qindra vendbanime tjera ku u kryen masakra ndaj civilëve të pafajshëm.
Nëse ne nuk reagojmë sot, nesër kjo propagandë mund të zë vend në tekstet shkollore, në platformat ndërkombëtare, në arkivat globale të historisë. Fëmijët tanë rrezikojnë të mësojnë një version të gënjeshtërt të së kaluarës sonë. Dhe kjo do të ishte fyerja më e madhe për ata që dhanë jetën për liri.
Do të vijë një ditë kur asnjë nga ata që luftuan nuk do të jenë në jetë më. As ne nuk do të jemi. Dhe atëherë, çfarë do të mbetet nga ajo kohë? A do të kemi një histori të dokumentuar, të saktë, të vërtetë – apo vetëm thërrime të ndara kujtimesh që nuk mund të lidhen në një mozaik të plotë?
Historia jonë nuk është thjesht për të na bërë krenarë. Është për të mësuar, për të kuptuar, për të ndërtuar të ardhmen mbi themele të vërteta. Prandaj kemi një detyrë: të mbledhim, të shkruajmë, të dëgjojmë, të arkivojmë. Çdo rrëfim është një pjesë e çmuar e identitetit tonë kombëtar. Le të mos e lëmë në mëshirë të harresës, sepse në heshtjen tonë, të tjerët flasin me të pavërteta.
Sepse liria për të cilën u derdh gjak nuk guxon të mbulohet nga pluhuri i harresës. Dhe nëse ne sot nuk e ruajmë këtë histori, nesër ajo mund të rishkruhet nga të tjerët – jo me të vërtetën tonë, por me versionin e tyre.

Koha nuk pret. Le ta ruajmë të kaluarën për të mbrojtur të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të shtunën pati rrëmujë dhe zhurmë në Spitalin Kantonal të…