Historia dhe kujtesa popullore

08 shkurt 2018 | 10:14

Prof. dr. Nusret Pllana

Recension / Kujtesa popullore për historinë e një lufte (2)

Nëse shqyrtohen me kujdes ngjarjet dhe të dhënat që ka sistemuar në veprën e tij Bedri Tahiri, mund të thuhet se ngjarjet nuk flasin vetëm për luftën e Drenicës, apo vetëm me veprimtaritë që lidhen me këtë luftë. Pra, është marrë me një shumësi episodesh të ngjarjeve të ndryshme andaj, rrjedhimisht, edhe me një shumësi personalitetesh historike, si dhe me një numër pjesëmarrësish të tjerë, një pjesë të të cilave deri tashti nuk i ka shënuar kujtesa historike e shqiptarëve. Por, i ka mbajtur mend, i ka ruajtur kujtesa popullore, që në këtë rast janë shpaluar përmes kujtesës së plakut të urtë dhe atdhetarit të devotshëm, Asllan Jashari.

Mënyra si i ka sistemuar të dhënat për ngjarje të caktuara, autorit Bedri Tahiri i ka dhënë dorë që edhe ta ruajë kronologjinë e rrëfimit të një njeriu, i cili mund të quhet pjesë e kujtesës sonë, duke sjellë edhe të dhëna nga burimet historike, por edhe ta shqyrtojë veprimtarinë atdhetare të disa figurave të rëndësishme të historisë sonë, edhe para Luftës së Drenicës, edhe pas kësaj lufte. Do të thotë, në vepër zënë vend edhe luftëtarë të ngjarjeve të ndryshme luftarake, veprimtaria e të cilëve është zhvilluar në vende të ndryshme të gjeografisë së Drenicës së kohës së Luftës së Dytë Botërore, siç ishte fjala Rifat Galica, apo Xhemë Tërnafci, por edhe luftëtarë e komandantë që i kanë prirë edhe Luftës së Drenicës, edhe Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishin fjala vjen, Mehmet Gradica, apo Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Autori i veprës Lufta e Drenicës sipas rrëfimeve të Asllan Jasharit, Bedri Tahiri, ka zgjedhur një mënyrë origjinale të qasjes për temën që ka marrë në trajtim. Duke u mbështetur në rrëfimin e një luftëtari të Luftës së Drenicës, të Asllan Jasharit, i cili, siç thotë autori, kishte kujtesë të shkëlqyeshme, brenda strukturës së veprës së tij, ka krijuar natyrshëm hapësira, për të sistemuar të dhëna edhe për disa nga figurat kryesore, jo vetëm të periudhës së Luftës së Drenicës, por edhe të periudhave të tjera kohore.

Në fillim, pasi ka shpjeguar, sipas njohurive të plakut të urtë, Asllan Jasharit, se që të gjithë ata për të cilët ka rrëfyer, si dhe familje të tjera të mëdha, jo vetëm në Prekaz, por edhe në disa fshatra të tjerë të Drenicës dhe të Dukagjinit, janë të fisit Kuç, ai ka vënë në spikamë disa karakteristika të pjesëtarëve të këtij fisi. Mirëpo, në mënyrë të veçantë ka theksuar sidomos aftësinë luftarake të pjesëtarëve të këtij fisi dhe, veçanërisht është ndalur dhe ka folur, sidomos për trimërinë e tyre. Autori, bashkë me rrëfyesin, papritur kanë lënë rrëfimin e kujtimeve. Mirëpo, është gjetur rasti dhe momenti dhe ka dhënë një jetëshkrim mjaft të detajuar për Adem Jasharin, si dhe për Hasan Prishtinën. Doemos, dy nga figurat kryesore të dy periudhave më të ndritshme të historisë së re shqiptare, njëri ideator dhe bartës i kryengritjeve për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtjen e tërësisë së saj territoriale, Hasan Prishtina, tjetri, Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte bartësi i Ushtrisë që çliroi këtë pjesë të pushtuar të tokave shqiptare.

Lufta e Drenicës dhe liria e Kosovës

Në një pjesë të veprës së tij, menjëherë pas jetëshkrimit të Hasan Prishtinës, autori është ndalur te disa aspekte të çështjeve, të cilat krijojnë hallka në rrëfimin e plakut Asllan Jashari. Thënë më mirë dhe më saktë, krijojnë nyje lidhëse në strukturën e veprës së tij, ku i mundësohet edhe autorit, për të dhënë gjendje të caktuara shpirtërore, qoftë të rrëfimtarit, qoftë të autorit, por, qoftë edhe të të pranishmëve në vendet ku bëhej mbajtja e shënimeve për rrëfimet e këtij plaku.

Në strukturën e veprës së tij, autori Bedri Tahiri, ka radhitur ngjarje të periudhave të ndryshme kohore, herë ngjarje që kishin ndodhur shumë kohë para Luftës së Drenicës, herë të tjera ngjarje që kishin ndodhur edhe pas Luftës së Drenicës, ku bartës kryesor të veprimeve luftarake ishin shqiptarët, në mesin e të cilëve doemos kishte edhe më të dalluar. Në tërësinë e rrëfimit të episodeve të ndryshme, janë dhënë fragmente, për të mos thënë aspekte të atyre ngjarjeve, por përherë duke theksuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në ato ngjarje, rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre, si dhe pasojat që kishin ato ngjarje në jetën historike të popullit shqiptar.

Plaku i mençur, Asllan Jashari, rrëfimtari kryesor i veprës së Bedri Tahirit, Lufta e Drenicës, sipas rrëfimeve të Asllan Jasharit, ka shpaluar momente të periudhave kohore ku, siç rrëfen ai, shqiptarët kanë luftuar edhe për të huajt. Episodet e rrëfimit të kujtimeve të tij prekin edhe kohën e luftërave ruso-turke, apo edhe të luftërave të tjera, ku të shumtën e herëve, shqiptarët ishin pjesë e ushtrive të huaja dhe luftonin për interesa dhe toka të huaja.

Mirëpo, ka ngjarje ku roli i shqiptarëve ishte vendimtar për të ruajtur, së paku bërthamën biologjike të pjesëtarëve të një populli, siç ishte rasti me plojën që ishte bërë mbi vëllezërit myslimanë, të anës së Pazarit të Ri, Bihorit, e vendbanime të tjera, apo edhe mbi një pjesë të fshatrave shqiptare të këtyre anëve. Organizimi, mënyra e ndërtimit të strategjive luftarake, pjesëmarrja në ato ngjarje, dëshmojnë për përkushtimin e luftëtarëve shqiptarë në mbrojtjen e vendit të tyre, si dhe gatishmërinë që të sakrifikohen, qoftë edhe për të shpëtuar jetën e një fëmije.

Diku në pjesë të caktuara të veprës së tij, autori ka futur edhe rrëfimin e plakut Asllan Jashari, për mënyrën e organizimit dhe të rekrutimit të vullnetarëve shqiptarë (të gjynlive, siç i kanë quajtur me përkufizimin e fjalorit ushtarak osman), të cilët shkonin për të luftuar për vende të huaja. Pastaj, autori ka shkëputur ndonjë pjesë të rrëfimit të ndonjë ngjarjeje, edhe si përjetim emocional, por në radhë të parë, rrëfimi del si qortim që i ka bërë historia njeriut shqiptar, që nuk arrinte të bëhej bashkë dhe të luftonte për lirinë e tokave shqiptare.

Në shumësinë e ngjarjeve të rrëfyera, ka të tilla që janë bartur me saktësi kujtese, gjë që dëshmohen edhe me të dhëna plotësuese, qoftë kur autori ka përdorur ndërhyrjet shkrimore, në formën e intermecove, qoftë kur ka folur dhe ka dhënë jetëshkrimin e pjesëmarrësve në ato ngjarje. Ndër rrëfimet më të veçanta, janë edhe luftimet në Artakoll, kundër bandave çetnike, siç i quan, edhe kjo, thënë kushtimisht, një derë hyrëse në pjesë të ndryshme të Drenicës, e cila asnjë herë nuk ishte pajtuar me pushtuesin.

Përkushtimin për lirinë e ka shpaluar në kujtimet e tij plaku i urtë Asllan Jashari, sidomos kur rrëfen për kthimin e Shaban Polluzhës me Brigadën e tij në Drenicë, duke mos pranuar të shkonte nëpër tokat serbe për të ndjekur ushtrinë gjermane që kishte humbur luftën. Po atë natë kur Shaban Polluzha ishte në Besianën e sotme, ish-Podujevë, në Drenicën e tij ishin pushkatuar disa nga trimat më të shquar të luftës për liri. Në Besianën e sotme ishin dy brigada shqiptare, ajo që i printe Shaban Polluzha, dhe Brigada e Shtatë Shqiptare, e Ushtrisë Shqiptare, që i printe Shaban Haxhia. Me këtë rast, siç kujton edhe plaku Asllan Jashari, Komandanti i Shtabit Suprem të Drenicës, Shaban Palluzha, u drejtohet luftëtarëve të brigadës së tij, pasi nuk kishte pranuar të nisej për në Serbi, përkundër ndërhyrjeve, edhe të udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, edhe të atyre serbë. Shaban Palluzha u thotë luftëtarëve të tij:

“Vëllazen, deri dje ishim partizanë dhe luftuam kundër gjermanëve për me e çlirue Kosovën tonë të dashur. Sot e tutje jemi luftëtarë të lirisë dhe do të luftojmë kundër bandave çetnike që janë lëshuar mbi trojet tona. Sot po i shpallim luftë Serbisë dhe komunistëve që po këqyrin me na farue. Tash po nisemi për Vushtrri. E vetmja rrugë për të dalë në Qyqavicë është Ura e Pestovës. Na priftë e mbara!”

Në anën tjetër, një rrëfim shumë interesant dhe domethënës, është figura e Shaban Haxhi Demaliajt, njëri nga komandantët në zë të Ushtrisë Shqiptare, i cili, edhe pse e kishte nënshkruar urdhëresën për nisje, e dinte se ajo ishte rrugë e tradhtisë së interesave kombëtare. Por, ai duhej të zbatonte urdhrat e eprorëve të tij, të cilët ende i besonin vëllazërim-bashkimit të ideologjisë komuniste me sllavët. Prandaj, janë të paharrueshme fjalët që ai ia drejton Shaban Polluzhës, kur ai bashkë me brigadën e luftëtarëve të Drenicës kishte marrë vendim të kthehej në Drenicën e tij dhe të mbronte gratë, fëmijët, pasuritë, tokën e Drenicës. Komandanti i njohur Shaban Haxhia, me një gjuhë të qartë atdhedashurie i drejtohet Shaban Polluzhës: “Unё, Shaban Haxhia, po shkoj dhe, edhe nёse shpёtoi, ka me mu sha nёna, kurse ti, o Shaban Polluzha, po kthehesh dhe, edhe nёse vritesh, ka me tu kёndue kёnga”!

Rrëfimi i plakut të urtë, Asllan Jashari, pastaj jep me saktësi gjithë rrugëtimin e Brigadës së Komandant Shaban Polluzhës, pritat dhe vrasjet prapa shpine, përgjimin e vazhdueshëm dhe ndjekjet hap pas hapi, përpjekjet për të përçarë ushtarë dhe njësi të brigadës, luftime të lavdishme dhe tmerrin e acarit të atij dimri të paharrueshëm, luftimet e ashpra me forcat komunisto-çetnike, masakrat në fshatra të Drenicës, por edhe qëndresën e madhe të luftëtarëve të lirisë që kanë mbetur shenjë atdhetarie në kujtesën tonë historike.

Përfundim

Vepra më e re e autorit Bedri Tahiri, Lufta e Drenicës, sipas rrëfimit të Asllan Jasharit, lexuesit i vë përpara një mënyrë tjetër të trajtimit të ngjarjeve historike, të zhvilluara brenda një treve të caktuar, siç është Drenica, duke shpaluar me kujdes dhe me qartësi anën themelore të asaj lufte: luftë për liri kombëtare.

Qoftë vetëm për këtë fakt të pamohueshëm të këtyre rrëfimeve, si dhe të mbarështrimit të gjithë atyre episodeve të ngjarjeve të ndryshme dhe të pjesëmarrësve të ndryshëm, është e mjaftueshme për të folur për rëndësinë e kësaj vepre, që në një mënyrë apo në një tjetër, plotëson ato zbrazëti që ka lënë historiografia e deritashme shqiptare, sidomos kur ka marrë në shqyrtim Luftën e Drenicës, por edhe luftëtarët e saj.

Shqiptarët e kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, të Kosovës pra, duhej ta prisnin Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin e saj Legjendar, Adem Jasharin, për ta vlerësuar drejt Luftën e Drenicës dhe Komandantin e saj, Shaban Polluzhën, edhe pse dilemat historike vazhdojnë edhe më tutje. (Fund)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditë më parë një kontingjent i Forcës së Sigurisë së…