
Historia dyvjeçare e një gjykimi special, paradokset e narrativës
Ismail SYLA
Më 3 prill 2025 bëhen dy vjet që kur filloi procesi gjyqësor ndaj katër personaliteteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, kryeministër dhe president i Kosovës, Kadri Veselit, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimit, ish-inspektor gjeneral i UÇK-së dhe Jakup Krasniqit, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në ditën e parë, kur Prokuroria e Dhomave të Specializuara paraqiti ekspozenë inkriminuese, ishte qesharak fakti me çka ata pretendonin të ngrenin argumente kundër të akuzuarve. Nuk pati asnjë bombë të papritur, as befasi për përmasat e “krimeve” të bëra nga të akuzuarit.
Me një volum të paparamendueshëm më parë, aktakuza pretendonte se bazohej në miliona faqe “dëshmishë”, sipas parimit se gjithë ajo sasi pritet të prodhojë argumente fajësie.
Narrativa e aktakuzës kishte aq shumë shpërputhje, sa identifikoheshin edhe prej njerëzve me përgatitje fare laike. Konstatimi më paradoksal ishte ai i zhvillimit të operacioneve luftarake të UÇK-së edhe pas 12 qershorit 1999.
Paradoksi tjetër ishte përshtypja e regjistruar në narrativë, se gjoja UÇK-ja kishte synim parësor luftën kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, që synonte monopolin dominues mbi jetën publike në Kosovë.
E kulmi i gjithë paradokseve, sipas narrativës prej 45 faqeve, ishte përjashtimi i pranisë së administratës së dhunshme serbe në Kosovë, vrasjet sistematike të shqiptarëve, dëbimi programatik i tyre jashtë Kosovës, krimet masive, masakrat dhe gjenocidi mbi popullatën e paarmatosur.
RRJEDHA E DËSHMITARËVE
Për dy vjet më radhë në këtë gjykatë parakaluan qindra dëshmitarë të prokurorisë. Opinioni publik ka mbetur në errësirë për shumë segmente të dëshmive, sepse një përqindje e madhe e dëshmitarëve u censuruan, duke i mbyllur seancat ose duke hyrë në sesione private.
Nga të gjithë ata dëshmitarë që pamë gjatë seancave të hapura, askund nuk rezultoi një fakt për krimin individual që e bëri njëri a tjetri nga katër të akuzuarit. Brenda shkurtesës së famshme (famë e zezë) NPK (Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale) dhe strukturës hierarkike, zinxhirit komandues, Prokuroria po përpiqet të krijojë dy paradigma juridike, në bazë të së cilave t’i fajësojë të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për barrën e ngarkuar ndaj katër të akuzuarve shprehu habi edhe vetë ish prokurorja e Gjykatës së Hagës për krime në ish Jugosllavi, Carla del Ponte.
Dy dëshmitarë të profilit të lartë, Fred Abrahams dhe Shaun Burns dhanë dëshminë e tyre nën betim. Është për lakmi morali perëndimor në raste dëshmie nën betim. I pari, z. Abrahams e pranoi ndershmërisht se në raportin etij kishte përdorë burime dhe vlerësime zyrtare serbe për UÇK-në dhe në vend të konstatmit “krimet e UÇK-së”, është dashur të thuhet “pretendimet për krimet…”
Dëshmitari tjetër, amerikani Burns, që më vete kishte përfaqësuesin ligjor, në mënyrën më korrekte shpjegoi konstatimet e tij të nxjerra nga terreni dhe kontakti me të akuzuarit gjatë viteve 1998/99, se ata përfaqësonin krahun më racional, më të arsyeshëm, më të moderuar të UÇK-së. Sipas tij Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më shumë se një strukturë e mirëfilltë ushtarake, ishte një lloj “Ministrie e Jashtme”, sepse nuk posedonte as burime njerëzore as përgatitje profesionale si ushtritë e rregullta.
Njëra anë e qëndrimeve të hapura armiqësore të Prokurorisë Speciale u shfaq edhe me refuzimin e dëshmive të personaliteteve të larta botërore, që do të sillnin prova shfajësuese për të akuzuarit. Kështu, sipas ligjeve biologjike të jetës, para se të vijë radha e dëshmitarëve të mbrojtjes, u nda nga jeta ish sekretarja e shtetit, amerikania Madeleine Albright. Po ashtu, pa arritur që ta jep dëshminë e tij, vdiq edhe gjenerali i famshën britanik, Michael Jackson.
Në paradën e dëshmitarëve nuk ia vlenë të përmenden rastet qesharake, si ai që tërë mllefin kundër UÇK-së e kishte të lidhur me një mëshqerrë, pavarësisht biografisë së tij jetësore.
DËSHMITARË ME DY KAPELA
Kjo Prokurori Speciale ka përdorë një taktikë dinake lidhur me shumicën e përgjegjësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dy kapela për një person. Atë që e thërret në cilësinë e dëshmitarit (kapela e parë) dhe i njëjti si i dyshuar (kapela e dytë). Ky kurth dha produktet e veta në disa raste.
Së pari, komandantë të nderuar, të famshëm në periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i detyroi të jenë dëshmitarë të Prokurorisë. Ky pozicion nuk është pa siklet. Së dyti, mbi secilin prej tyre vuri kapelën e të dyshuarit, thën më saktë saçin e nxehtë, atë të mundësisë për t’i ngritur aktakuzë, e rrjedhimisht, edhe për ta burgosur.
Hilja më e madhe me dëshimtarët e dyshuar ndodhi kur gjykatësit gjoja ua garantuan heqjen e statusit të personit të dyshuar, gjegjësisht lirimin nga aktakuza e mundshme dhe arrestimi.
Në fakt, ata u liruan nga pozicion “i dyshuar”, por në gjykatë mbetën ato pjesë nga deklaratat e mëhershme që prodhojnë argumente fajësuese përkatër të akuzuarit. Pozicioni “i dyshuar” ua pamundësoi që gjatë seancave ta shpartallojnë çdo nuancë, çdo cilësim dhe çdo paqartësi në deklarata e dhëna në periudha të ndryshme, në procese të ndryshme, qoftë para hetuesve të UNMIK-ut, të Tribunalit për ish Jugosllavi, të EULEX-it ose gjykatave vendore.
Dihet se pas luftës në Kosovë u zhvilluan shumë procese gjyqësore. Gjithsesi të padrejta, të montuara, a priori me ngjyrë armiqësore ndaj çdo pjesëtari të UÇK-së. Ka pasur raste kur, bie fjala, dëshmitarët me qëllim të mirë, duke dashur ta mbrojnë një komandant zone, kanë hedhur përgjegjësitë tek anëtarët e SHP të UÇK-së, me bindjen që ata kanë imunitet më të madh dhe nuk u kanoset burgosja.
Rasti i paraqitjes në Gjykatën e Dhomave të Specializuara ishte i favorshëm që në mënyrë korrekte nga dëshmitarët e dyshuar të shpjegohet ky paradoks. Por, fatkeqësisht, në shumicën e rasteve nuk u shpjegua.
Kapelja e dyfishtë shkaktoi huti pikërisht tek ata përgjegjës, komandantë e ushtarakë që në kohë të luftës u përballën me vdekjen, duke iu kundërvënë shtetit me fuqinë ushtarake më të madhe në Ballkan.
BRAKTISJA INSTITUCIONALE
Segment tragjik më vete përgjatë këtyre katë vjet burgosjeje të personaliteteve shtetndërtuese të Kosovës, gjatë këtyre dy vjet zhvillimi të procesit gjyqësor, është indiferenca institucionale. Tre njerëzit e pozicioneve kyqe të Republikës së Kosovës: presidentja, kryeministri dhe pjesërisht kryetari i Kuvendit nuk janë hënabrenda (miqësorë) por më shumë hënajashtë (armiqësorë) me të akuzuarit.
As në Kuvend, as në forume ndërkombëtare, as në Këshillin e Sigurimit, as në kontaktet diplomatike zëri i kryeinstitucioneve nuk u ngrit me përgjegjësinë e duhur. Nuk u reagua institucionalisht as kur ra Raporti i Dick Martty-it, as kur u evidentuan dhjetëra defekte, as kur po ndodhin shumë shkelje të drejtave, diskriminim klasik i vazhdueshën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Me këtë qëndrim krerët e institucioneve të Kosovës sikur pajtohen me dënimin e drejtuesve të UÇK-së me ndjenjën e satisfaksionit që atyre t’u rrënohet trashëgimia politike. E ajo është, nën një, lufta e drejtë dhe fitimtare e organizatës politike ushtarake më të suksesshme në shekullin 20, lufta e UÇK-së. Është, nën dy, shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Këto institucione nuk kërkuan asnjëherë që kryetarja e kësaj gjykate Ekaterina Trandafilova të raportojë para Kuvendit të Kosovës. Kjo kryetare, e cila nuk po i gjen burg Sali Mustafës askund në Evropë, sepse, si dënuar ai do të duhej hequr nga Haga. Natyrisht, Evropa ka juristë të zgjuar, dhe si rrjedhojë, nuk e njohin Gjyjatën e Dhomave të Specializuara, nuk i njohin të dënuarit nga ajo.
FARE NË FUND
Pas 26 vjet nga përfundimi i çlirimit të Kosovës, nën dritën e luftës në Ukrainë, asaj në Gaza, nën dritën e rirreshtimit të rendit të ri botëror, të mbahet një proces gjyqësore duke synuar të quhen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit telefonatat nga Kosova në Zvicër me pjesëtarë të LPK-së, veshja e uniformës së UÇK-së, shkrimi i komunikatave e imtësira tjera triviale, pas 26 vjet lirie dhe 17 vjet pavarësie të Kosovës të mbahen prapa grilave njerëzit me profilin politik më properëndimor më proamerikan dhe më prodemokratik, nuk është gjë tjetër pos padrejtësi historike ndaj një kombi të vogël në numër, por të madh në përpjekje, ambicie, ëndrra dhe projekte për zhvillim, demokraci dhe integrim në institucione euroatlantike.
Prishtinë, 29 mars 2025