Historia e arratisjes më të famshme në Jugosllavinë e Titos
Shkruan: Blerim Latifi
Ndjekja që iu bë nëpër Serbi Faton Hajrizit, më kujtoi një histori të vjetër arratisjeje, të cilën e kam dëgjuar shpesh në fëmijërinë time në Prekaz. Është historia e njërës prej arratisjeve më të famshme nga burgjet e Jugosllavisë socialiste, në tërë ekzistencën e saj. Protagonisti i kësaj arratisje është njeriu që shikoni në fotografinë e parë, poshtë këtij teksti. Emri i tij është Isë Zymer Prekazi, nip i prijësit të njohur, Ahmet Delisë.
I lindur në vitin 1904, gjatë viteve 1941- 1944 ai ushtron detyrën e kryetarit të Komunës së Prekazit. Pas ardhjes së brigadave partizane në Drenicë, ai refuzon të dorëzohet tek ato dhe me një grup njerëzish arratiset në male.
Fillimi i kryengritjes së Shaban Polluzhës e gjen në krye të një batalioni të kësaj brigade, batalion i cili kishte për detyrë mbajtjen nën kontroll të rrugës Mitrovicë – Pejë, e cila kalonte nëpër Drenicë.
Pas shuarjes së Kryengritjes së Shaban Polluzhës, Isa sërish mbetet maleve. Gjatë asaj kohe pushteti jugosllav shpallë një amnisti të përgjithshme për të arratisurit që kishin marrë pjesë në kryengritje. Isën e bindin në vërtetësinë e kësaj amnistie dhe ai dorëzohet tek pushteti jugosllav në Skënderaj. Me t’u dorëzuar, ai e kupton se me të do të veprojnë ndryshe. Shpejt e sjellin para gjykatës ushtarake në Mitrovicë, e cila e dënon me pushkatim. Gjatë seancës përfundimtare një zyrtar i afrohet kushërinit të Isës, Brahim Ahmetit, dhe i thotë se ka një mundësi për t’i shpëtuar pushkatimit: të mblidhet një sasi e madhe parash, me të cilat do të korruptohet gjykatësi. Brahimi kthehet në Prekaz, mbledh paratë nëpër të afërm dhe në apelim të vendimit dënimi me vdekje i shndërrohet në dënim me 20 vite burg. Menjëherë e dërgojnë në burgun e Mitrovicës së Sremit.
Fillimi i viteve ’50. Koha e terrorit të Rankovičit. Shtohet dhuna mbi të burgosurit shqiptarë në burgjet jugosllave. Shumë prej tyre vriten në tortura, siç është rasti me NDSH’istin Isuf Kabashi nga Polaci. Isë Zymeri e di se nuk do t’i shpëtoj kësaj ploje të UDB’së. Në këtë situatë ai e merr një vendim radikal: të arratiset nga burgu. Shokët me të cilët e diskuton planin, shprehin dyshime për suksesin e planit. Arsyeja themelore: Janë aq larg nga Kosova. Duhet të kalojnë gjithë Serbinë për të arritur atje. Shto kësaj ndjekjen nga policia dhe mosnjohjen e terrenit. E tëra u duket një çmenduri. Isa nuk tërhiqet nga vendimi i marrë. Shokët me të cilët e diskuton planin janë Hilmi Zariqi nga fshati Baicë i Drenasit dhe një i burgosur i ri, Murtez Fetahu nga fshati Qirez. Dhe dita kur do të vihej në zbatim plani i arratisjes, arrin. Të burgosurit nxirren për të punuar në plantacionet shtetërore të mistrit në Vojvodinë. Isa u jep shenjën dy shokëve të tij dhe të tre marrin arratinë mes fushave. Ende pa u larguar nga perimetri i kontrolluar prej rojeve, Hilmi Zariqi vritet, ndërsa Isa dhe Murtezi ia dalin të arratisen me sukses. Në Beograd jipet alarmi. Mobilizohen mijëra trupa në ndjekje të të arratisurve. Qyteteve dhe fshatrave shpërndahen fotografitë e tyre. Të dy të arratisurit arrijnë të kalojnë Danubin dhe nisen drejt jugut. Gjatë rrugës u shmangen vendbanimeve, ndërsa ushqehen me barishtet e pyjeve. Pas dy javësh të arratisë, diku në Serbinë qendrore, hetohen nga një grup i ndjekjes. Nga të shtënat plagoset Murtezi, i cili kapet nga policia, ndërsa Isa ia del të shpëtoj duke u zhdukur në brendi të pyjeve. I mbetur vetëm, ai endet edhe për dy javë të tjera nëpër Serbi, në kërkim të shtigjeve drejt Kosovës.
Pas një muaji në arrati, i ndjekur nga mijëra efektivë të policisë jugosllave, një natë Isa shfaqet në Prekaz dhe troket në derë të kusherinit të tij, Vesel Ahmetit. Siç rrëfente ky, kur e kishte parë në derë, nuk e kishte njohur fare. Me rroba të shqyera, i dobësuar fizikisht, me mjekërr të madhe, gjithë plagë në trup, ai i ngjante një njeriu të dalë nga varri. Isa ia tregon gjithë historinë, i thotë se nuk mund të qëndroj në Prekaz dhe krejt çfarë i duhet është një palë rroba dhe një pushkë.
Shpejt merret vesh se Isa ka arritur në Drenicë dhe ndodhet në male. Në vend të ndjekjes me forca policore, tani pushteti ndërmerr një dredhi tjetër për ta kapur. E detyrojnë një të afërm të Isës nga një fshat tjetër që të fus në kurth. Tradhtari shkon në Çyçavicë, gjoja për t’i dërguar ushqim, dhe në momentin kur tenton t’ia grabis pushkën, Isa e heton dhe i hidhet sipër, duke ia thyer duart dhe këmbët. Atë natë fshehurazi shkon në Prekaz, ia tregon Veselit atë që i kishte ndodhur dhe pastaj i thotë se tanimë nuk ua ka besën as njerëzve të afërm, prandaj do të arratiset për në Shqipëri. Veseli e shoqëron deri në afërsi të kufirit. Bashkë me të është një i arratisur i njohur i atyre viteve, luftëtari nga Shala e Bajgorës, Sherif Tërstena.
Dalja e Isës në Shqipëri e tërbon pushtetin jugosllav. Ia burgosin gjithë familjen, të cilën torturojnë mizorisht, ndërsa Veseli arrestohet dhe dënohet me 15 vite burg. Në Shqipëri Isa dorëzohet tek organet shqiptare të sigurimit. Ato dyshojnë në historinë e arratisjes që ua rrëfen. Në fund vendosin ta testojnë besueshmërinë e tij. Pas disa muajve, së bashku me Aziz Zhilivodën, e vendosin në krye të një grupi diversant, i cili do të futet në Kosovë me qëllim krijimin e grupeve të rezistencës antijugosllave në mesin e shqiptarëve. Operacioni diversant kalon me sukses të plotë. Në harkun kohor të dhjetë viteve Isë Zymeri dhe Aziz Zhilivoda do të kryejnë disa operacione të tilla nga Shqipëria në Kosovë. Në të fundit prej tyre, në vitin 1963, Isa e merr me vete në Shqipëri djalin e tij të vogël. Tanimë kishte prekur të gjashtëdhjetat dhe forcat fizike po e linin. I arratisuri i pakapshëm dhe diversanti i padukshëm, që u kishte shpëtuar sa e sa operacioneve të ndjekjes, tani po e ndjente afrimin e të vetmit kundërshtar prej të cilit nuk do të mund të arratisej, pleqërinë. Në vitin 1978 vdes dhe varroset në Durrës.
I arratisuri tjetër, Murtez Fetahu, pas 25 vitesh burg lirohet. Vdes disa vite pas luftës së fundit. Pjesën e arratisjes nga burgu i Mitrovicës së Sremit, unë e kam dëgjuar prej tij gjatë një të pame në fshatin Polac, në vitin 2004. Ndërkaq, i arratisuri i tretë, Hilmi Zariqi, i vrarë në momentet e para të arratisjes, është varrosur diku në Vojvodinë, në një varr të panjohur. Personazhi tjetër, Aziz Zhilivoda, figurë kyqe në rezistencën antijugosllave në Kosovë në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, vdes në Shqipëri në vitin 1994. Sot një shtatore e tij qendron në sheshin e qytetit të Obiliqit.
Foto 1: Isë Zymer Prekazi.
Foto 2: Vesel Ahmeti.
Foto 3: Aziz Zhilivoda.