Nxitja për shpikjen e koktejit ndërlidhet me koston e ulët të prodhimit të alkooleve me përqindje të lartë, nga produktet kryesore si patatet, drithërat dhe niseshteja. Në Amerikë, rumi u krijua nga melasa, një nënprodukt i industrisë së sheqerit. Por, këto pije të lira alkoolike e kishin një problem: shija ishte e tmerrshme, kështu që u shtuan aromatizuesit, si manaferrat e dëllinjës në xhin. Pijet e reja u bënë aq të njohura saqë midis viteve 1720 dhe 1751 ndodhi epidemia e xhinit në Angli.
Një paraardhës i rëndësishëm i koktejit ishte pançi i shekullit XVIII. I rrënjosur në eksploatimet koloniale britanike, kjo përzierje fillimisht kishte pesë përbërës: arrak (një pije prej sheqerit të palmës), sheqer, limon, ujë ose çaj dhe erëza. Pançi i shërbyer para darke, në tas të madh nga porcelani i importuar, u bë pija e preferuar e zotërinjve.
Origjina e emrit koktej mbetet një mister. Për herë të parë u përdor më 1798 për ta përshkruar një kalë të racës së përzier, me bisht të prerë; pija mbase e përfaqësonte një përzierje të ngjashme. Një interpretim tjetër është se kokteji – shpeshherë i pirë në mëngjes – ishte gjallërues, duke e lënë atë që e pi me metaforën e bishtit të prerë, si kali gjoja i përdredhur, ku xhenxhefili (ose, fillimisht ngjala e gjallë) futej në anusin e kalit për ta mbajtur vital kur dilte në shitje.
Pijet e tjera të përziera, shpejt u bënë trend. Ndërsa, në shekullin XIX, kokteji – kryesisht pije për burra – ishte artikulli kryesor. Me udhëtimet në distanca të gjata që reduktuan popullaritetin e tavernave dhe bujtinave tradicionale, kokteji ishte pija ideale për ambientet e nivelit të lartë, si hotelet, resortet dhe anijet me avull. Pas prohibicionit në Shtetet e Bashkuara, lozhet e koktejit dhe baret u bënë të zakonshme dhe, së shpejti, gostitë e koktejeve në shtëpi u bënë forma më e njohur e argëtimit. Një kulturë krejtësisht e re lindi, e kompletuar madje edhe me stilin e duhur të veshjes. /Telegrafi/