“Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa shqiptarët e Kosovës”
Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare.
Kështu u tha në një pritje të organizuarmbrëmë nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë në prag të shënimit të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në të cilën morën pjesë krerë të shtetit të Kosovës, ministra, deputetë dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka folur për rrugëtimin e gjatë të shqiptarëve në luftën e tyre për pavarësi dhe liri, e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar më 28 nëntor në Vlorë.
Diplomati shqiptar përkujtoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një datë e thjeshtë në kalendar, por një fener i identitetit kombëtar dhe një dëshmi e guximit të popullit shqiptar për të realizuar një Shqipëri të pavarur.
“Pikërisht në nëntor të vitit 1912, Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie, e cila shndrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar për të gjithë neve shqiptarët…Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë… Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare”, tha Malaj.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot kremtojmë së bashku festën e madhe të shqiptarëve – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo theksoi se sot Shqipëria është vend demokratik që promovon vlerat e lirisë dhe të drejtat njerëzore, dhe është e vendosur në rrugën e integrimit evropian, si dhe po kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 111-vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar, duke thënë se 28 Nëntori është ditë e flamurit dhe bashkimit e pavarësisë së shtetit dhe fitores së popullit shqiptar.
Ndryshe, më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.