Historia e pazakontë e arabëve që kanë zgjedhur të shërbejnë në ushtrinë izraelite
Nga Elizabeth Blade, korrespondente e RT në Lindjen e Mesme
Arabët izraelitë zakonisht përjashtohen nga shërbimi ushtarak që është i detyrueshëm për të gjithë. Megjithatë, gjatë viteve qindra syresh janë regjistruar në IDF, megjithëse numri i tyre ka qenë i ulët. Vitet e fundit, kjo tendencë ka ndryshuar dhe në vitin 2021 më shumë se një mijë arabë myslimanë shërbyen në radhët e saj.
Me operacionin e Izraelit në Gaza që ka kaluar muajin e gjashtë, komuniteti ndërkombëtar po ushtron presion mbi zyrtarët në Jerusalemin Perëndimor për t’i dhënë fund luftës.
Demonstratat masive kundër luftës janë bërë të zakonshme në shtete të tilla si SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Holanda. Perceptimi pozitiv i Izraelit në SHBA ka rënë nga 68% që ka qenë më parë në vitin 2023 në 58%, vlerësimi më i ulët në më shumë se dy dekada.
Një trend i ngjashëm është regjistruar edhe në shtetet arabe, ku reputacioni i Izraelit ka rënë, me 89% që kanë hedhur poshtë idenë e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin për shkak të fushatës së tij të përgjakshme ushtarake në Gaza.
Megjithatë, është interesante se ky nuk ishte rast për popullatën arabe brenda Izraelit. Në nëntor 2023, menjëherë pas sulmeve të përgjakshme të Hamasit në komunitetet jugore të vendit, ku u masakruan të paktën 1,200 njerëz, një sondazh zbuloi se 70% e izraelitëve arabë ndjenin një lidhje me shtetin dhe se problemet e Izraelit i shqetësonin edhe ata. Në krahasim, në qershor të vitit 2023, vetëm 48% e arabëve izraelitë kishin shprehur një pikëpamje të tillë.
Kjo ndjenjë është përkthyer gjithashtu në një rritje të numrit të arabëve izraelitë që u regjistruan për shërbimin ushtarak.
Ligji izraelit nuk imponon shërbimin në IDF për arabët izraelitë, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë së përgjithshme. Megjithatë, gjatë viteve, disa anëtarë të komunitetit kanë shërbyer.
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë arabë izraelitë kanë zgjedhur ushtrinë. Ndërsa në vitet 2018 dhe 2019, vetëm 436 dhe 489 arabë shërbenin përkatësisht në IDF, në vitin 2020 më shumë se 600 mbanin uniformën.
Deri në vitin 2021, numri i ushtarëve arabë kishte arritur mbi një mijë, përfshirë në njësitë luftarake, ndërsa lufta e furishme në Gaza i ka dhënë një tjetër shtysë shifrave.
Yusef Hadad, një arab izraelit nga qyteti i Nazaretit në Izraelin verior, është gjithashtu një nga ata që vendosën të rreshtohen me Izraelin.
Në vitin 2003, kur ishte 18 vjeç, ai shkoi për të shërbyer në një njësi luftarake elitare të quajtur Golani dhe tre vjet më vonë, u dërgua në Liban, ku Izraeli po zhvillonte një luftë hakmarrëse për rrëmbimin e dy ushtarëve izraelitë nga militantët e Hezbollahut, një milici shiite e lidhur me Iranin.
Ndërsa luftonte në radhët e IDF-së, ai u plagos dhe humbi njërën këmbë, por thotë se kurrë nuk është penduar që i ka shërbyer shtetit të Izraelit.
“Arsyeja që vendosa të shkoj dhe të shërbej ishte sepse ushtria jonë quhet IDF, që do të thotë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, jo JDF, Forcat e Mbrojtjes Hebraike. Kjo ushtri është për të gjithë dhe na mbron të gjithëve, si hebrenjtë dhe arabët. Pra, duke shërbyer atje, unë po i shërbej jo vetëm komunitetit tim, por edhe të gjithë popujve të Izraelit.”
Duke kujtuar ditët e tij në ushtri, Hadad thotë se u përball me reagime të ndryshme. Ai ndonjëherë është ngacmuar, tallur dhe është quajtur tradhtar për pakujdesinë e çështjes palestineze dhe për përkrahjen e Izraelit të cilin shumë e shihnin si pushtues. Por njerëz të tillë, thotë ai, nuk kanë arritur asnjëherë t’ia thyejnë vendosmërinë dhe shpirtin.
“Nuk kam pasur kurrë turp për vendimin tim dhe sa herë që kthehesha në shtëpi nga baza, sigurohesha të vishja uniformën time dhe mbaj mend që fëmijët më afroheshin për të bërë pyetje”, tha ai përmes telefonit.
“Ato ditë vepra ime ishte unike. Në familjen time isha i pari që e bëja këtë. Por unë e hapa rrugën për shumë njerëz. Motra ime u regjistrua menjëherë pas meje,” shtoi ai.
Sot, për shkak të lëndimit të tij në Luftën e Dytë të Libanit, Hadad nuk është në gjendje të shërbejë në rezervë, por ai ia kushton kohën e tij avokimit për Izraelin. Ai është parë në studio duke debatuar me aktivistët pro-palestinezë, shpesh duke u përplasur me ta pa i zgjedhur aspak fjalët. Ai po bën turne nëpër botë me leksione që promovojnë Izraelin, gjë për të cilën shpesh kritikohet dhe qortohet.
Por sa më shumë që lufta në Gaza vazhdon, aq më e vështirë bëhet justifikimi i saj. Numri i viktimave në Gaza ka kaluar tashmë 33,000 njerëz. Mijëra të tjerë janë plagosur, shumë të tjerë janë të zhdukur, ndërsa 80% e ndërtesave janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht. Më shumë se një milion banorë të Gazës janë zhvendosur brenda vendit.
Veprimet e disa ushtarëve të IDF-së nuk po i ndihmojnë as përpjekjet e avokimit të Hadadit. Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, mediat sociale janë mbushur me video virale të luftëtarëve izraelitë që shkatërrojnë mobiljet, plaçkitin pronat dhe poshtërojnë civilët, veprime që kanë shkaktuar bujë ndërkombëtare. Hadad dënon veprimet e këtyre individëve, të cilët “shkojnë kundër moralit të IDF-së” dhe është i sigurt se ata do ndiqen penalisht dhe ndëshkohen për veprimet e tyre.
“Ne jemi një vend i vogël me nëntë milionë banorë dhe pothuajse çdo familje në Izrael është prekur nga ngjarjet e 7 tetorit. Kështu që disa ushtarë po veprojnë nga inati dhe dëshira për t’u hakmarrë. Është për të ardhur keq, por një reagim mjaft i natyrshëm,” shpjegoi ai.
“Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se fryma e IDF-së, nga ushtari i rangut më të ulët dhe tek oficeri i rangut më të lartë, është i ndryshëm. Ne konsiderohemi si një nga ushtritë me më shumë moral në botë dhe bëjmë çmos që të mos dëmtojmë civilët.”
Megjithatë, statistikat tregojnë një pamje të ndryshme. Nga 33,000 njerëz të vdekur në Gaza, 10,000 ishin terroristë sipas IDF-së. 20,000 të mbetur ishin civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Por Hadad thotë se media, e cila në përgjithësi është armiqësore ndaj Izraelit, është ngatërruar nga informacionet që i jep Hamasi.
“Kur u them atyre se IDF-ja vrau 10,000 terroristë, ata nuk më besojnë. Por ata vazhdojnë dhe citojnë numrat e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë që kontrollohet nga grupi terrorist Hamas. Çfarë do te thote ajo? A besojnë më mirë një grup terrorist sesa një nga ushtritë më morale në botë? Kjo është hipokrizi”, arsyeton aktivisti.
Hadad beson se kjo qasje e njëanshme ndaj Izraelit dëmton besueshmërinë e rrjeteve të lajmeve që “nuk u japin shikuesve informacion të besueshëm” për të vërtetën në terren. Ata nuk flasin për bashkëjetesën midis hebrenjve dhe arabëve që ekziston në Izrael. Ata as nuk përmendin se shumica e arabëve izraelitë flasin kundër Hamasit dhe krimeve të tij të tmerrshme.
Për përpjekjet e tij të avokimit, Hadad tashmë është cilësuar si ministri de-fakto i diplomacisë publike të Izraelit. Por ai thotë se është larg politikës, veçanërisht në një kohë kur lufta është ende e ndezur dhe 134 pengje izraelite janë ende robër në Gaza.
“Tani duhet të përqendrohemi në mbështetjen e IDF-së dhe kthimin e pengjeve. Çfarëdo të ndodhë më pas…të gjitha mundësitë janë të hapura.”