Që nga viti 1943 e tutje, Johnny Jebsen ishte agjent i dyfishtë në shërbim të kauzës së aleatëve, ndërsa vazhdonte të pretendonte se ishte një besnik i madh ndaj gjermanëve. Jebsen ishte në dijeni të disa prej sekreteve më të rëndësishme të aleatëve: planet reale të zbarkimit në Normandi, dhe mbi një operacioni të madh që kishte synime çorientuese për t’i bindur gjermanët se zbarkimet do të ndodhnin në sektorë të tjerë të plazhit të Normandisë.

Por, loja e tij nisi të ngjallte dyshime. Miku i tij, Popov, që në fakt arriti të shpëtonte, e këshilloi të shkonte në Angli. Por, për Jebsenin, ishte tepër vonë. Ndoshta ai nuk i mori gjërat shumë seriozisht. Kështu, më 29 prill 1944, vetëm katër javë përpara datës së përcaktuar fillimisht për zbarkimin në Normandi, Jebseni u kap në Lisbonë pas një përplasje të shkurtër me armë. U fut në një makinë dhe u dërgua në Francën ende të pushtuar. Arrestimi u krye nga Aloys Schreiber, kreu i kundërzbulimit gjerman në Lisbonë, që e kishte kontaktuar me pretekstin e dhënies së shpërblimit.

Torturuesit e SD-së nisën ta torturojnë për të nxjerrë informacione prej tij. Ata donin emrat e spiunëve që bënin lojë të dyfishtë, identitetet e rekrutuesve, sekretet e aleatëve, dhe të gjitha planet e tyre. Por “Artisti” nuk e lejoi veten të pushtohej nga frika dhe dhimbja. Nuk zbuloi asnjë nga sekretet që dëshironin nazistët. Më pas u dërgua në selinë e Gestapos në Berlin, ku vazhduan torturat dhe marrja në pyetje. Por, Jebsen nuk foli. Në korrikun e vitit 1944, ndërsa aleatët po marshonin tashmë drejt Parisit, Jebsenin u transferua në kampin e përqendrimit Sachsenhausen. Sipas raportimeve, mbërriti atje me brinjë të thyera dhe shenja të qarta të traumës dhe kequshqyerjes. Por, kjo nuk e pengoi të thurte plane për arratisjen. Arriti të dërgojë mesazhe në Angli, por në Zyrën e Luftës askush nuk e dinte emrin e vërtetë të agjentit ne nofkën “Artisti” ndaj çdo kërkesë e tij u shpërfill.

Në shkurtin e vitit 1945, Gestapo vendosi ta transferonte në një kamp të ri. Nga ai moment fati i tij mbeti një mister. Trupi i tij nuk u gjet kurrë. Ndoshta përfundoi si shumë të tjerë në ndonjë varr masiv. Më 17 shkurt 1950 u shpall zyrtarisht i vdekur.

Mbetet ende i habitshëm fakti që Jebsen dinte, dhe për këtë arsye ai mund të kishte rrëfyer gjithçka. Duke tradhtuar aleatët dhe mikun e tij Popov, mund të shkëmbente jetën e tij me sekretin e pushtimit të Evropës. Por, nuk i tha asnjë fjalë Gestapos. Kishte një grua dhe një fëmijë që e prisnin në shtëpi. Por, as në Francë, as në Berlin, dhe as në kampin e përqendrimit Sachsenhausen nuk u tregoi asgjë nazistëve. /Marrë me shkurtime nga Il Giornale/Në shqip nga: Bota.al/