Historia e tmerrshme pas filmit të ri të Leonardo DiCaprios
Filmi i ri i aktorit Leonardo DiCaprio tregon historinë makabre të “regjimit të terrorit” që përfundoi me 24 persona të vdekur.
“Killers of the Flower Moon”, që do të shfaqet për herë të parë në maj, bazohet në librin e vitit 2017 të shkruar nga David Grann, ngjarjet e të cilit kanë ndodhur në vitet 1920.
Në atë kohë, FBI-ja nisi hetimet mbi disa vrasje të vendasve amerikanë, pjesëtarë të tribusë Osage, në Oklahoma. Këta persona u bënë të pasur brenda natës, kur në tokën e tyre u zbulua se kishte naftë. Ata përfituan më shumë se 30 milionë dollarë të ardhura çdo vit, që ndaheshin mes anëtarëve të fisit në mënyrë të barabartë.
Nëse një person jashtë tribusë kërkonte të kishte pjesë nga kjo pasuri, duhej të martohej me një anëtar të fisit. Në këtë periudhë, William K. Hale, nga Teksasi, nxiti nipin e tij, Ernest Burkhart, të martohej me vajzën Osage, Mollie Kyle (më vonë Mollie Burkhart).
Burkhart, i interpretuar nga Leonardo DiCaprio, dhe gruaja e tij Mollie, e luajtur nga Lily Gladstone, jetonin në Fairfax, me nënën e Mollie, Lizzie Q. Në maj të vitit 1921, trupi i dekompozuar i njërës prej vajzave të saj, Anna Brown, u zbulua në një përrua në veri të Oklahomës. Ajo u gjet me një plumb pas koke, por duke qenë se Brown nuk kishte armiq, çështja mbeti e pazgjidhur. Dy muaj më vonë, Lizzie vdiq në rrethana të dyshimta nga një helmim, edhe pse nuk pati prova sërish.
Në janar 1923, vdiq edhe nipi i Lizzie, Henry Roan, ndërkohë që Hale, i interpretuar nga Robert De Niro, mashtroi duke përfituar 25 000 dollarë policë sigurimi.
Në mars të po atij viti, një tjetër vajzë e Lizzie, Rita Smith, bashkë me burrin e saj, vdiqën pas një shpërthimi që i shkatërroi shtëpinë. Vdekjet vazhduan derisa shifra e tyre shkoi në 24.
Dyshimet u shtuan shumë dhe hetimet çuan te emri William K. Hale, si “truri” pas vrasjeve. Ai u akuzua se kishte paguar të tjerë për të kryer vrasjet, në mënyrë që vetë të fitonte para dhe pushtet.
Në momentin që Hale dhe nipi i tij u arrestuan, u ndalën edhe vrasjet.